Jeta e një 15 vjeçari u këput në mes mbrëmjen e 14 tetorit në Shkodër nga duart e një tjetër 15 vjeçari që vrau me thikë bashkëmoshatarin pas një përleshje.
Ngjarja rëndë ndodhi në lagjen “Skënderbeg”. Dy adoleshentët njiheshin mes tyre pasi frekuentonin të njëjtin gjimnaz, shkollën e mesme profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër.
Pas përleshjes, autori dyshuar është arratisur, për t’u prangosur nga policia disa orë më vonë. Viktima ka marrë një goditje pranë zemrës, e cila i ka shkaktuar hemorragji. I riu u dërgua në spitalin e qytetit, por pavarësisht përpjekjeve mjekët nuk mundën dot t’i shpëtojnë jetën. 15 vjeçari ndërroi jetë në spital.
Pas arrestimit të tij, autori ka folur para hetuesve në prani të një psikologu. Ai ka thënë se viktima ishte ai që kishte thikë me vete. Autori ka pretenduar se viktima e ka goditur në shpatull me thikë fillimisht, ndërsa më tutje mes të rinjve ka ndodhur përleshja fizike.
“Qëlluam të dy në lagje dhe Emiljano kishte një thikë në dorë. Ai më qëlloi në sup dhe gjatë përplasjes tonë fizike thika i ra në tokë. Unë e mora nga toka thikën që kishte Emiljano më parë dhe për t’u vetëmbrojtur e qëllova me idenë për ta plagosur dhe më pas u largova nga vendngjarja”, ka thënë 15 vjeçari.
Autoritetet dyshojnë se mes dy të rinjve ka patur një konflikt të mëhershëm që mund të ketë nisur në shkollë.