“Më hoqi nga puna, s’më dha paratë” Plagosi 3 persona, 47 vjeçari vetëdorëzohet dhe flet para hetuesve

Një konflikt për çështje financiare ka qenë arsyeja se përse 47 vjeçari Altin Mergjushi qëlloi me thikë tre persona mbrëmjen e djeshme në ambientet e një lokali në Laprakë.

Të paktën ky është pretendimi i autorit të dyshuar, i cili u vetëdorëzua këtë të martë në polici dhe dha deklarimet e tij para hetuesve. Mergjushi qëlloi me thikë një shtetas italian të quajtur Massimo Servillo, të shoqen e tij dhe babain e kësaj të fundit. Ai pretendoi se shtetasi italian e kishte pushuar nga puna dhe nuk i kishte dhënë paratë që i detyrohej.

“U takuam për të diskutuar rreth mosmarrëveshjeve që kishim. Kam qenë i punësuar pranë biznesit të Massimos, dhe më shkarkoi nga puna, përveç kësaj më kishte edhe disa detyrime financiare. Ai nuk e njohu detyrimin, debatuam dhe në konflikt e sipër, duke u përplasur edhe fizikisht. Ndërhynë edhe vjehrri i tij me të bijën, nxorra thikën dhe iu drejtova Massimos. Në përleshje e sipër mbetën të plagosur edhe bashkëshortja e tij Rigera Rrapollari dhe i ati Viktori”.-tha në dëshminë e tij 47 vjeçari.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin A. M.(D.), 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi mbrëmjen e djeshme, në ambientet e një lokali, në rrugën “Riza Cuka”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës shtetasit M. S., 44 vjeç, R. Rr., 40 vjeçe dhe V. Rr., 63 vjeç, të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.”, thuhet në njoftimin e policisë.