“Më jepni masë të lehtë, kam 4 fëmijë në ngarkim” Xhemal Loka lihet në burg

Gjykata e Durrësit ka lënë në “arrest me burg” 45 vjeçarin Xhemal Loka, i akuzuar se çoi drejt vetëvrasjes 41 vjeçaren Bedrie Loka, nëna e 4 fëmijëve e cila pi fostoksinë e ndërroi jetë më 2 janar.

Para togave të zeza, Xhemal Loka ka pranuar se me të shoqen ka patur debate, por ka mohuar se ka qenë ai personi që e ka shtyrë të ndjerën të vetëvritej. Para dhënies së verdiktit, Loka ka kërkuar një masë të lehtë pasi ka ‘4 fëmijë në ngarkim’.

“Nuk jam dakord me akuzën e prokurorit. Më janë bërë kërcënime nga njerëzit e gruas. Lidhur me Tik-Tokun e kam falur gruan dhe ja kam thënë këtë. Më kanë marrë në telefon anonim në Greqi e më kanë kërcënuar. Nuk e di cili ka qenë. I kam thënë kur të dalësh nga shtëpia merr një nga fëmijët me vete.

Kam pasur debate me gruan si çdo çift, por jo konflikt që ajo të shkonte në masë ekstreme. Si mund ta bëj unë atë veprim kur ajo është nëna e 4 fëmijëve të mi. Vëllai i saj Mahmudi di gjithçka. Nuk di çtë them më. Jam bërë më vra veten. Më jepni një masë më të butë se kam 4 fëmijë në ngarkim.“-tha 45 vjeçari në sallën e gjyqit.

Kujtojmë se Bedrie Loka i dha fund jetës duke pirë fostoksinë. Fillimisht ngjarja u lidh me një profil fals në rrjetin social Tik Tok, që ofendonte dhe denigronte të ndjerën. Por më vonë përmes deklarimeve të familjarëve, dolën të dhëna të reja mbi debatet dhe dhunën e ushtruar ndaj të ndjerës.