Prej dy muajsh Ermali e Merita shohin sesi djali i tyre shuhet dalëngadalë prej një problemi serioz mjekësor që po i merr jetën. Çdo ditë Roeni i tyre bëhet më i dobët, ndërsa burrë e grua nuk kanë mundësi t’i bëjnë derman të birit.
Roeni ka hidrocefali, atë që në gjuhën e përditshme e njohim si uji në kokë. Situata është bërë aq rëndë saqë vogëlushi 2 muajsh tanimë rrezikon të vdesë nëse nuk largohet sa më parë për t’ju nënshtruar kurimit të specializuar.
Ermali e Merita kanë mbetur të vetëm në dëshpërimin e tyre, pasi fatura financiare është mjaft e lartë. Burrë e grua nuk kanë mundësi… e sa herë kujton pamundësinë e tij, Ermali shkrehet në lotë. Thotë se më mirë pranon vdekjen e tij, sesa këtë ëndërr të keqe që përjeton prej 2 muajsh
“Më mirë të vdes vetë sesa çuni…”-thotë mes lotëve Ermali.
“Nëse Roeni qëndron këtu, është drejt vdekjes… çdo ditë lufton me vdekjen”-thotë Merita.
Burrë e grua mbushen në lot, vishen sërish në dhimbje. Ermali mundohet të ngushëllojë disi të shoqen…
“…mos u mërzit se do të bëhet një rrisk për çunin. Mos qaj se do të bëjë Zoti mirë”-i thotë ai bashkëshortes.