U mblodhëm në Fondacionin “Firdeus” për t’i shprehur mirënjohjen një njeriu që pranoi të bënte diçka, kur thuajse të gjithë nuk pranuan. Fillimisht pritëm Andin, mrekullinë e vogël të shqiptarëve, i cili deri pak kohë më parë ishte mes jetës e vdekjes, ndërsa sot, në krahët e të ëmës.
Elvisi e merr në krahë Andin e vogël, ndërsa më tutje na nderon me prezencën e tij dhe një burrë në moshë, mjek kardiokirurg në profesion. Ai quhet doktor Giuseppe (Xhuzepe) dhe është mjeku i cili mori përsipër të kryejë ndërhyrjen e vështirë mbi zemrën e Andit 1 vjeçar.
E kur mjeku i afrohet Elvisit, vogëlushi kthen kokën. Shikon doktorin që i buzëqesh. Mbase në memorjen e tij diku ësht skalitur imazhi i njeriut që për 16 orë qëndroi pranë tij, në operacionin që i shpëtoi jetën.
“Vëllezër e motra të nderuar, kam një lajm të gëzueshëm. Po e shihni që jam me një fëmijë në dorë, por unë nuk jam bërë me fëmijë, nuk është ky lajmi. Lajmi është i jashtëzakonshëm. Jam me Andin, që tashmë të gjithë shqiptarët e njohin. Sonte kemi një mik të çmuar. Është Andi, fëmija i shëruar, dhe një person i veçantë. Po ta shikoni me vëmendje edhe Andi e kthen kokën.
Ne epikrizën e tij e dërguam në spitalet më të mira të botës, e na refuzonin, nuk e merrnin përsipër. I vetmi në Itali, një doktor i mrekullueshëm, na tha unë do të përpiqem ta shpëtoj. 16 orë operacion bëri. Ky doktor i mrekullueshëm është këtu me ne, në Fondacionin “Firdeus”.
Është një mrekulli e madhe sepse spitalet më prestigjioze në botë na refuzuan, por jo ky doktor. Për gjithë këtë djersë të derdhur, për gjithë donatorët, ja tek e kemi mrekullinë, Andin e shëruar.”-tha Elvis Naçi.