Me një buzëqeshje në fytyrë… Putin tregon se cilin kandidat mbështet Rusia për President të SHBA-ve

Me një shprehje cinizmi dhe një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, Presidenti Vladimir Putin i është përgjigjur pyetjes se cilin nga kandidatët për President në SHBA, do të mbështese ai si lider i Rusisë.

Putin tha se Rusia kërkon që zgjedhjet e nëntorit në SHBA të mund t’i fitojë Kamala Harris, duke shtuar me ironi se preferon të qeshurën ‘infektuese’ të zv.Presidentes, në krahasim me Donald Trump.

Putin bëri deklaratën e tij një ditë pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzoi dy ekzekutivë të medias në Rusi, mbi një skemë ilegale për të tentuar të influencojnë në zgjedhjet e nëntorit në Amerikë.

Përpara se Presidenti Joe Biden të vendoste për t’u tërhequr nga gara, Putin deklaronte se do të preferonte Biden në vend të Trump, pasi i pari ishte i “shkollës së vjetër”, e kësisoj më tepër i parashikueshëm në politikë.

Putin vijoi më pas duke thënë se “Unë e kam thënë edhe më parë se i parapëlqyeri ynë, ka qenë Presidenti aktual Joe Biden. Ai u nxorr jashtë garës, por ai i këshilloi të gjithë mbështetësit e tij që të mbështesin Kamala Harris. Këtë do të bëjmë dhe ne, do ta mbështesim.

Së dyti, buzëqeshja e saj (e Harris) është aq ekspresive dhe infektuese, kjo do të thotë se gjithçka po shkon mirë për të”

Duke vijuar me tonet ironike, Putin shton më tutje se meqenëse gjithçka është ‘ok’, do të ishte mirë që Kamala Harris të hiqte dorë nga politika e sanksioneve kundër Rusisë.

Në kontrast me këtë mesazh, Putin theksoi se Trump, në kohën e tij si President, vendosi më shumë sanksione se të gjithë Presidentët e tjerë në Shtëpinë e Bardhë, kundër Rusisë.