“Me një plumb, humbën dy jetë” Lihet në burg shqiptari që i mori jetën partneres në Kretë

Gjykata në qytetin e Heraklion-it në Kretë të Greqisë ka lënë në burg 39 vjeçarin Gentian Mino, shqiptarin që pak ditë më parë i mori jetën partneres rumune, duke e qëlluar me një plumb në anë të kokës. I riu doli para gjykatës këtë të martë, duke thënë mes lotëve e të qarave se është i penduar e se “me një plumb humbën dy jetë, e Ninës dhe jeta ime”.

Me lot, 39 vjeçari ka pretenduar se gjithçka ka qenë një aksident tragjik dhe se arma është shkrepur gabimisht prej tij.  Ai më tutje ka shtuar se ditën e ngjarjes të dy kanë qenë të ulur në tapetin e dhomës së ndenjes, duke konsumuar pije e duke biseduar.

Shqiptari ka thënë se me partneren ai nuk ka patur probleme, ndryshe nga çfarë kanë dëshmuar fqinjët të cilët thanë se ai e dhunonte të ndjerën.

Avokatja mbrojtëse e shqiptarit, tha përpara trupës gjykuese se 39 vjeçari është i penduar thellësisht për ngjarjen dhe se madje kishte planifikuar të martohej me të ndjerën.

 “Ky njeri në asnjë mënyrë nuk kishte qëllim vrasjeje, ai është i shkatërruar dhe po përjeton ndjenja të thella pikëllimi dhe dhimbjeje pasi plumbi fatal goditi partneren e tij të jetës me të cilën synonte të martohej. Sikur ta kthente kohën pas, sikur të mos e kishte blerë kurrë, siç thotë ai, atë armë. Ai është penduar dhe i kërkon falje familjes së viktimës”, tha avokatja e tij  Efi Somara.

Në krah të 39 vjeçarit në gjykatë, ishin nëna dhe vëllai i tij. Nëna e të akuzuarit ka thënë në gjykatë se ajo e donte viktimën 29-vjeçare si vajzën e saj.