“Më rrahin e bullizojnë djalin 11 vjeçar, askush nuk reagon” Nëna nga Mitrovica denoncon dhunën ndaj të birit

Një nënë nga Kosova ka denoncuar rrahjet, keqtrajtimin e bullizimin që po përjeton i biri 11 vjeçar, i cili sipas saj është trajtuar për të disatën herë në mënyrë çnjerëzore nga një grup bashkëmoshatarësh.

Përmes një letre të hapur përcjellë në profilin e saj në rrjetin social, ajo shkruan se i biri është rrahur e keqtrajtuar nga një grup fëmijësh në shkollën ‘Abdullah Shabani’. Dhuna ka shkuar deri atje sa djali i saj 11 vjeçar është detyruar të ndërrojë klasën për t’ju shmangur fëmijëve që e rrahin, por sërish edhe ky veprim ka qenë i pamjaftueshëm. Nëna tregon se e ka ngritur shqetësimin tek të gjitha instancat e shkollës, nga drejtori e tek mësuesja kujdestare, por edhe tek orvatja për të kontaktuar me familjen e fëmijës që i rreh të birin.

Ajo shton se i është drejtuar policisë pasi situata me dhunën e bullizimin e të birit nuk ka ndaluar. Nëna nga Mitrovica thotë se nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për të birin, pavarësisht se në një komunikim me drejtorin e shkollës, ky i fundit i ka thënë “A je e vetëdijshme me kë po rrokesh, janë familje problematike”.

Më poshtë postimi i plotë i gruas:

Të nderuar dhe të nderuara prindër dhe institucione arsimore e policore;

Dua ta publikoj rastin e djalit tim 11 vjeçar i cili vijon mësimet në shkollen Abdullah Shabani në Mirtrovicë.

Djali im prej kohësh rrahet,shantazhohet,ofendohet, kërcënohet me armë të ftofta, nga disa nxënës të tjerë të kësaj shkolle,kësaj moshe dhe kësaj komune.

Ankesa ime si Nanë vetushqyese dhe kujdestare e vetme e tij që nga lindja e deri më tani është se: shqetësimin për tim bir e kam ngritur tek prindërit e këtyre fëmijëve,tek drejtori i shkollës,tek kujdestarja e klasës. Mirëpo, kjo ngjarje sot ka arritur në përmasa më të mëdha ku djali im dhe unë sot gjatë ditës jemi paraqitur edhe në stacionin policor Mitrovicë.

Kujdestarja e klasës e cila është në dijeni për rastin “si masë ndëshkuese ka marr vendim që djali im të largohet nga klasa, pa dijenin time, më ka premtu se do ta largoj fëmijën problematik.

Edhe pasi është vendos djali im në paralele tjetër, po i njejti fëmijë problematik me disa fëmijë të tjerë kanë shkuar në paralele ku është djali im dhe kanë ushtru dhunë fizike!

Djali nuk ka shkuar sot në shkollë ( e që nuk është e para herë që mungon shkaku i frikës) nga të vjellurat,temperatura dhe traumat e shkaktuara nga këta bashkëmoshatar të tij.

Si ka mundësi një institucion familjar të mos ken kontroll mbi fëmijët e vetë?

Si ka mundësi një institucion arsimor të mos ketë masa disiplinore për 11 vjeçarët?

A duhet domosdoshmërisht të vije në shprehje masat policiore dhe gjygjësore?

Shqetësimi im përveç tjerash është se si do jet gjendja e tim bir në vazhdim?

Si do të vijoj mësimet?

Si nanë vetëushqyese më është dasht të ndërpres praktikën, dhe të mbetem pa punë për të qëndruar me fëmijën tim në ambijentin shkollorë, se mos po më kthehet i rrahur apo ndonjë ditë të më vije edhe i plagosur apo i vdekur!

Si do të arrijë im bir shkallën e zhvillimit dhe të mësimit të tij duke u larguar nga klasa,nga shkolla për gjasma mbrojtjen e tij!?

Unë si nanë e vetme dhe pa përkrahje tash e 13 vitet me qira dhe shumë vështirësi të mëdhaja ekonomike,sociale,shëndetësore ku duhet ta shkolloj tim bir?

Ku duhet ta siguroj tim bir?

Ata sot e shantazhuan se im bir duhet t’ua mbaj cigaret elektrike në çantën e tij dhe me rrefuzimin e djalit tim ata e goditen, iu hudhen mbi 10 fëmijë të tjerë sipër duke e shtypur derisa volli.

Pas ankesës time dhe takimit me prindër më është drejtuar privatisht drejtori i kësaj shkolle me fjalët:

A je e vetëdijshme me kë po rrokesh, janë familje problematika”.

Nga kjo kam ardhë në përfundim se prindërit e fëmijës dhunues janë të fortë edhe kanë imunitet edhe përballë ligjit.

Më këshillojnë të heshti dhe ta largojë djalin nga ajo shkollë…

Me çfarë, me cila financa unë tani t’ia siguroj fëmijës tim librat, pasi siç e dijmë shkollat punojnë me libra e botuesve të ndryshëm.

Ndjes por, nuk heshti më, për fëmijën tim të cilin e rrita me shumë mund, pa strehim dhe me shumë peripeti tjera.

Jo, më nuk heshti!