Kur është pranë evladit, i kap dorën, i ledhaton çdo pjesë të trupit dhe me lot e përkëdhel, më fjalët më të ngrohta e ledhaton.
Kur vjen ora për t’u larguar nga dhoma e reanimacionit, me lot del duke mbajtur kokën pas. Sapo mbyllet dera ajo nis të lutet, derisa gdhin dita, që ajo të shpejtojë sërish, të qëndrojë pranë të birit. Rrugës për atje zemra nis t’i rrahë fort e mendja shpesh herë i bën rrengje… po sikur sot shpirtit im, Valdrinit tim…?
Prej mëse 120 ditësh, shpirti i Matildës është trazuar nga mendimet më të errëta. Prej 4 muajsh i biri ndodhet në spital, ndërsa prej mëse 1 muaji në reanimacion, në gjendje të rëndë. Matildës i kanë mbetur veçse lotët, mik veçse dëshpërimi dhe fije drite, veç lutjet e saj drejtuar të madhit Zot.
Sot kjo nënë, përmes një rrëfimi që të thyen zemrën, tregon se i biri do të shuhet nëse nuk largohet për kurim jashtë shtetit. Duart e saj, zemra e saj, gjithë qenia e saj, zgjaten për të kërkuar ndihmë.
“Valdrini vuan nga bronkodisplazia pulmonare. Po dergjet në këtë shtrat i intubuar (qan). Në mushkëritë e tij, sa vijnë e mbushen me ajër. Do të vijë një moment që ato do të shtyjnë edhe zemrën e mos o Zot (qan me dënesë) kjo gjë do t’i marrë jetën… o Zot nuk mundem më. Aq po vuaj, sa unë e di. Zemra më shtrëngon fort, më duket sikur djali do të vdesë nga çasti në çast.
Qëndrimi i tij këtu vetëm sa do ta përkeqësonte gjendjen. Ai nuk ka shpresë fare për jetën…Nuk kam mundësi, veç shpirtin ta jap për djalin se nuk kam mundësi financiare ta ndjek. Me zemrën e një nëne, ju lutem më ndihmoni sadopak që djali të më shpëtojë, të dalë nga kjo gjendje, të ketë një dritë jeshile në fund të tunelit dhe për djalin tim.”-thotë nëna.