Këtë të hënë në episodin e tetë të “Histori me Profetët në Kur’an”, sollëm në vëmendje një histori që me vete sjell vlerën e mirënjohjes.
Sot jetojmë në kohë të vështira dhe fatkeqësisht mosmirënjohja ndaj të tjerëve apo Zotit të Gjithësisë është një fenomen i kudondodhur.
Elvisi tregon historinë e tre njerëzve të sprovuar dhe përballjen e tyre me një ëngjëll që u fanitet në formë njerëzore.
Elvisi: Një ëngjëll zbret në tokë dhe takon tre persona. Një person që nuk shikonte, një person me sëmundjen e lëkurës dhe një të fundit me sëmundjen e kokës.
Ëngjëlli shkon tek i verbri dhe e pyet, çfarë të shqetëson… i tha ‘nuk shikoj’. Por sikur Zoti ta japë shikimin e pyet ëngjëlli… lavde të mëdha i bëj Zotit ia kthen i verbri. Ashtu qoftë i tha ëngjëlli, e preku dhe i riktheu shikimin.
Çfarë do nga pasuria e pyet ëngjëlli dhe i verbri i tregon. Edhe pasurinë ia dha.
Njëlloj shkon tek ai me sëmundjen e lëkurës dhe e pyet, “çfarë kërkon”… ‘dua të jem i pastër në lëkurë’ ia kthen i sëmuri. Ëngjëlli i tha ‘ashtu qoftë’ dhe ia largoi sëmundjen. E pyeti dhe për pasurinë dhe ia dha dhe atë. Njëlloj edhe me personin që kishte sëmundje të kokës.
Pas një kohe, po i njëjti ëngjëll rikthehet, por në dukje si i varfër, i dobët dhe pa perspektivë. I shkon personit që kishte patur sëmundjen e lëkurës.
“Për Zotin, jam udhëtar, pak pasuri që kisha e humba… a më ndihmon dot?”-i drejtohet ëngjëlli atij.
Personi që kishte patur sëmundjen e lëkurës i kthehet: Pak halle kam unë të merrem me ty, kam shumë obligime në jetë… vazhdo!
Kështu transmetohet në Hadith. Ëngjëlli më tutje e pyet “mos je ti ai që ke patur dikur sëmundje të lëkurës dhe ke qenë i varfër?
“Jo, e kam të trashëguar pasurinë, më ngatërron me njeri tjetër”- i përgjigjet ai, ndërsa ëngjëlli i kthehet “nëse gënjeve, Zoti të ktheftë ashtu siç ke qenë… dhe ashtu ndodhi, ju rikthye sëmundja e lëkurës.
Njëjtë dhe me personin që kishte sëmundje të kokës. E së fundmi ëngjëlli shkon tek personi që dikur ishte i verbër.
I tha, “të lutem, a më ndihmon, kam mbetur në rrugë, jam i varfër”. Personi që dikur ishte i verbër, e ka marrë dhe i ka thënë këto fjalë, që përshkruhen në Hadith.
“Merr (nga pasuria) çfarë të duash, lër çfarë të duash”
Ëngjëlli ia ktheu, “jo nuk kam nevojë… unë jam ëngjëll. Zoti u hidhërua me dy shokët e tu dhe me ty, është shumë i kënaqur”.
Kjo tregon për mirënjohjen. Një sugjerim e kam për këdo që na ndjek… çfarëdo që të arrini në jetë, mos e humbni modestinë, kujtojeni që njëherë nuk keni qenë fare në këtë botë dhe do të ikni prej saj.