Që në moshën 1 vjeçare Xhesilajda nuk ishte më si të gjithë fëmijët e tjerë. Në fytin e saj u manifestua një sëmundje që për 14 vite të gjata, e la këtë vajzë me një tub në pjesën e fytit, një tub që do t’i lejonte të merrte frymë.



Në një fshat të Lushnjes e me kushte tepër të vështira, Xhesi e kaloi të gjithë fëmijërinë me vështirësitë më të paimagjinueshme, të cilat ajo dikur i rrëfente në ditarin e saj, ndërsa sot na i rrëfen në emisionin “Për Shqiptarët”.
“Para 4 vitesh kam qenë e sëmurë me një laringomalici. Mbaja një tub në fyt dhe nuk mund të merrja frymë, nuk mund të jetoja dot pa të. Kështu ishte çdo ditë e jetës sime prej 14 vitesh. Çdo ditë bëhesha dhe më keq. Nuk mundesha të lëvizja shumë nga lodhja. Më trishtonte shumë ai tub, më mërziste.”-tregon Xhesi.

E teksa ajo rritej, një frikë nisi t’ja pushtojë shpesh e më shumë qenien. Filloi të shikojë, të vërë re shikimet e të tjerëve mbi të, distancën e shokëve e shoqeve të klasës. Shumë shpejt nisën dhe talljet, bullizimet…
“Kisha shumë frikë se nuk do të isha si shoqet e mia, si të gjithë moshatarët e mi. Kur ikja rrugës, kur ikja nëpër spitale, më shikonin njerëzit. Nuk e dininin çfarë halli kisha unë, më shohnin keq. Kishte raste që më kanë sharë në orën e mësimit, më kanë paragjykuar. Ti je e sëmurë me thonin, çe ke atë gjënë në fyt, atë tub… unë vija qaja në shtëpi.
Prindërit vuanin shumë prej meje, kishin frikë e merak, nuk më linin vetëm. Bashkë me prindërit vuaja dhe unë, por teksa rritesha mundohesha t’i jepja kurajo, të mos mërziteshin. I jepja forcë, i thoja nuk ka gjë se do të shërohem. Ata të gjithë shpenzimet e tyre i linin tek doktorët, infermierët, për mua. “-rrëfen Xhesi.
Kur “Për Shqiptarët” e bëri të njohur historinë e vuajtjet e Xhesit 4 vite më parë, ishin mijëra zemrat që u tronditën, mijëra ata që reaguan në krah të kësaj vajze të vuajtur. Xhesi i kujton ato kohë me zërin që i dridhet. Thotë se kishte pritur 14 vite për një dhe vetëm një ëndërr, të largonte atë tub të frikshëm nga fyti saj. E këtë ëndërr, realitet e bënë shqiptarët 4 vite më parë.
“Më në fund ndodhi kjo mrekulli. Lutjet e mia, lutjet e prindërve, motrës e vëllait tim, lutjet që u dëgjuan nga shqiptarët… dhe ata më ndihmuan. Prisja prej 14 vitesh atë lajm dhe erdhi. Mezi prisja të ikja drejt Italisë e ai moment erdhi shumë shpejt. U nisa drejt Italisë. Kisha frikë sesi do të shkonte operimi, por fatmirësisht ai shkoi shumë mirë.
Kur u ktheva në Shqipëri, isha unë… Xhesilaida e re, pa bullizimet, pa shikimet e njerëzve. Isha pa shall dhe duke marrë frymë lirisht.”-thotë Xhesi.

