Mësuesja që “sfidon” dëborën për t’u dhënë mësim 4 nxënësve të mbetur në Lëpushë

Javët e fundit reshjet e dëborës në zonat malore në Shqipëri kanë qenë të dendura. Por një mësuese gjuhë- letërsie në zonën e Lëpushës ka refuzuar ta pezullojë mësimin për shkak të vështirësive që ka sjellë dëbora në qarkullim.
E ndihmuar nga një banor i zonës, dikur nxënës i saj, Marije Leçaj Pllumaj së bashku me Valerjan Çekajn, e kanë çarë vetë rrugën e mbushur në dëborë, që 4 nxënësit e shkollës të bëjnë mësim çdo ditë. Valerjani ka përdorur një traktor (kur ka shumë dëborë) për t’i dërguar fëmijët në shkollë, ndërsa mësuesja u jep atyre dije.

“Tani ka vetëm 4 nxënës. Nxënësi më i afërt e ka mbi gjysmë ore larg shkollën, ndërsa të tjerët 6 kilometra e më tutje. Jap mësim çdo ditë. Kam dhënë mësim dhe javën e kaluar që ka qenë me shumë ngricë, me rregullsinë më të madhe. Nxënësit shkojnë mirë me mësime, të katërt janë me mesatare mbi 8. Kam 42 vite në arsim dhe kam punuar me shumë pasion, sepse nxënësit i kam si fëmijët e mi. Por mosha bën të vetën dhe nuk e di se si do të bëhet, për pak dal në pension. Megjithatë, e kam shumë të vështirë të shkëputem nga nxënësit”, tha mësuesja në një intervistë për “Abc-në e Mëngjesit”.

“Duhet të bëjmë të pamundurën për t’i dhënë shkollën këtyre katër fëmijëve. E vështirë është sepse mjeti nuk është për borë, por duhet të mundohemi për këta katër fëmijë.”-tha nga ana tjetër Valerjani.