“M’i keni shëmtuar fotot” Skandali në Onkologjik, flet një nga mjeket: Jam e pafajshme, do mbroj veten time

“Më nxirrni çik bukur se m’i keni shëmtuar ato fotografitë komplet”

Këto ishin të parat fjalë që mjekja 53 vjeçare Alketa Ymeri (Pere) tha para kameras e gazetarëve, para se të shkojnë në seancën gjyqësore për hetimin e skandalit me abuzime në spitalin Onkologjik të Tiranës.

Mjekja, e akuzuar për “shpërdorim detyre”, tha para gazetarëve se ajo nuk është e përfshirë në asnjë skemë antiligjore dhe se nuk ka orientuar asnjë pacient me kancer drejt spitaleve private. 53 vjeçarja ka shtuar më tutje se është e pafajshme dhe se media duhet të mundojë të ruajë etikën.

 “Kurrë në jetën time nuk e kam bërë këtë gjë! Kurrë në jetën time nuk kam bërë që pacienti të shkojë në spital privat. Pacienti me kancer duhet të trajtohet në spitalin Onkologjik. Duhet të hetohen të gjitha spitalet private për aktivitetin që kryhet. E falenderoj dhe prokurorin për punën që ka bërë, duhet një ndryshim rrënjësor në Onkologjik. Unë do pronocohem mbrapa, sot kam ardhur të mbroj veten time. Jam komplet e pafajshme! Do prononcohem më pas dhe do të  sqarohet gjithçka! Në asnjë klinikë private nuk punoj! Një minutë, se më keni mërzitur ju gazetarët. Nxirrini të gjitha, mos i shkurtoni fare. Edhe ato fotot më interesojnë, duhet ruajtur etika. Për atë punë keni mbaruar. Unë e ruaj deri në fund etikën, sidomos me pacientin. Kam dhe pacientë me kancer në familje dhe di çdo gjë se çfarë do të thotë.”-tha mjekja.

Pasi mjekja tha se duhet ndryshim rrënjësor në spitalin Onkologjik dhe hetim e thelluar, më tutje shtoi se atje nuk ka asnjë shkelje.

 “Duhet të ndryshojë struktura e spitalit, pajisjet. Jam shumë e lumtur me prokurorin që e ka quajtur rrugëtimi, duhet që çdo njeri ta dijë rrugëtimin e pacientin neuroplazik deri në fund. Në spitalin tonë nuk ka shkelje, mund të jetë dikush që i drejton në spitalet private sepse mund të ketë persona  që mund të jenë të varur nga ekonomia, më the të tash, por duhet sqaruar mirë kjo, kush i ka drejtuar në privat…”-shtoi ajo.

E pyetur pse nuk e ka denoncuar si rast, ajo u përgjigj: Unë nuk jam shteti moj zonjë! Unë përfaqësoj veten time.

“Sot jeni e shkarkuar”, i thotë një prej gazetarëve, ndërsa mjekja i përgjigjet “ kush është i shkarkuar? “Jo, nuk jam e shkarkuar”. Gazetari e pyet nëse “do të vijojë të shkojë” dhe mjekja shton “po patjetër që do të shkoj”.

“Unë bëj vetëm punën time”

Mes të akuzuarve, në gjykatë mbërriti dhe mjeku Edmond Gashi, gjithashtu i dyshuar për shpërdorim të detyrës dhe orientimin e pacientëve drejt spitaleve private. I pyetur nga gazetarët, ai ka thënë shkurtimisht “unë bëj vetëm punën time”.

Ndaj mjekut Gashi është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Këtë të enjte gjykata do të njohë personat e akuzuar me masat.