Miqësorja me Bullgarinë në “Air Albania”: Kuqezinjtë vijnë me disa ndryshime në formacion

Pak orë na ndajnë nga ndeshja miqësore mes Shqipërisë e Bullgarisë, teksa trajneri i kuqezinjve Silvinjo ka vendosur që të bëjë ndryshime në formacion, për të provuar të tjerë lojtarë e për të lënë të pushojnë titullarët.

Sfida do të shërbejë po ashtu për të parë gjendjen fizike të lojtarëve të stolit si dhe për t’u treguar atyre se janë të rëndësishëm për kuqezinjtë. Kësisoj, pritet që të ketë të paktën 4 ndryshime në formacion.

Në portë pritet të rikthehet Strakosha. Në mbrojtje Balliu do t’i zërë vendin Hysajt, ndërsa Mihaj vendin e Gjimshitit. Në mesfushë, Ramadani i lë vendin Qazim Laçit, ndërsa në repartin ofensiv pritet që Uzuni e Ernest Muçi, të luajnë në vend të Seferit e Cikalleshit.

Kjo është e para miqësore që kuqezinjtë zhvillojnë nën drejtimin e Silvinjos, ndërsa ky i fundit është shpehur se pret fitoren nga skuadra. Ndeshja nis në orën 18:00 në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet.