Misteret e vdekjes tragjike të punëtorit shqiptar në Itali, flet familja: Atë punë e shihte si garanci për pensionin

“Kush hynë në banesën e tij i ofrohet një kafe e hidhur (pa sheqer), sipas traditës shqiptare. E hidhur sepse e tillë është vdekja. Një histori emigracioni. Një histori përkushtimi, integrimi të suksesshëm në shoqëri, histori e një lumturie familjare, e një sigurie të fituar me mund, me djersë dhe më në fund e arritur. Një histori vdekjeje në punë që i dha një goditje të gjithëve. Është historia e Abdulla Biskut, muratorit shqiptar, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, i cili vdiq vetëm pak metra larg shtëpisë në një kantier ndërtimi në Asola në zonën e Mantovas.”

Kështu shkruan media italiane “Il Giorno”, e cila i ka dedikuar një artikull të gjatë vdekjes tragjike të emigrantit shqiptar, 58 vjeçarit Abdulla Bisku. “Il Giono” ka intervistuar po ashtu dhe fëmijët e të ndjerit dhe bashkëshorten e tij, të cilët presin zbardhjen e të vërtetës.

“Unë di vetëm që asgjë nuk mund të ma kthejë burrin mbrapsht. Do të jepja gjithçka që të kthehej para se të ndodhte kjo”, shprehet bashkëshortja e shqiptarit.

“Presim të vërtetën nga hetimi”, përgjigjet i biri.

“Në vitin 2024 nuk duhet të ketë më vdekje në punë”, thotë vajza e të ndjerit.

Hetimet

Vdekja në punë e 58 vjeçarit ishte një ngjarje që preku të gjithë komunitetin atje. Bisku punonte në prishjen e një galerie në katin e parë të një ndërtese të vjetër në zonë, disa qindra metra larg banesës së tij. Bisku ishte i vetëm në atë moment pasi kolegu i tij ishte larguar pak momente më parë. Një nga trarët që mbante papafingon u thye, ndërsa 58 vjeçari ra nga një lartësi prej mëse 3 metrash. Askush nuk dëgjoi gjë, ndërsa 58 vjeçari ra në tokë me kokë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ka shumë ‘pse’ në këtë histori, shkruan media italiane. E mbi këto të panjohura, prokuroria ka hapur një dosje me hipotezën e veprës penale të pakujdesisë dhe shkeljes së rregullave të sigurisë në punë ndaj pronarit të kompanisë Edilcasa, që ishte dhe punëdhënësi i të ndjerit.

 “Kantieri i ndërtimit ka disa mangësi si nga pikëpamja e projektimit të punimeve ashtu edhe në fazën e ndërtimit të përkohshëm të punimeve ku mungonin skelat. Vendkalimi nga ku ndodhi rënia nuk kishte parmakë. Por mbi të gjitha nuk kishin marrë aspak parasysh se dërrasat që shërbenin si vendkalim ishin të vjetra dhe nuk mund të përballonin peshën e punëtorit. Nuk duket të ketë pasur rrip apo kokore”, tha Alberto Righi, kreu i shërbimit të parandalimit dhe sigurisë në vendin e punës.

Teksa familja pret kryerjen e autopsisë këtë të hënë, bashkëshortja e të ndjerit tregon për “Il Giono-n” se i shoqi nisi punën me kompaninë në fjalë afro një vit më parë. Ajo tregon se i shoqi e shikonte si një garanci shtesë për daljen në pension.

“Burri im kishte disa muaj që punonte atje. Nuk kishte shfaqur ndonjë shqetësim në veçanti. E vetmja lidhej me faktin se ndërtesa ishte shumë e vjetër. Ai ishte shumë i matur dhe i zoti në punë. Në moshën që kishte ngjitej ende me shkathtësinë e një maceje. Ai do të punonte derisa të arrinte moshën e pensionit. Vdiq kur ishte koha për të shkuar në shtëpi. Kjo banesë ishte ëndrra e tij, donte me të gjitha forcat që ta përfundonte. Kemi qenë këtu për katër vite e gjysmë. Pasi e blemë e rinovoi pjesë-pjesë. E kishte ndërtuar si shtëpia ku jetonin më parë në Gazzuolo, një fshat në Asola dhe si ajo në Shqipëri. Ai do të varroset atje, në vendin e tij, këtë dëshirë kishte”, tha bashkëshortja e Biskut.

Vdekja e 58 vjeçarit solli trishtim të madh mes shqiptarëve në Asola, kjo për faktin se Bisku kishte ndihmuar dhjetëra shqiptarë përgjatë qendrimit prej 33 vitesh në Italinë fqinje. Ai kishte mbërritur me varkë nga Brindisi në vitin ’91 së bashku me 5 bashkëatdhetarë, duke u vendosur përfundimisht në zonën e Mantovës. Që prej asaj kohe, nga 6 shqiptare në Asola, numërohen afro 500 syresh, shumë prej të cilëve janë ndihmuar nga Bisku.

58 vjeçari la pas të shoqen dhe dy fëmijët, Aldin 26 vjeçar dhe të bijën Adelinën 22 vjeçare.