Misteri i vrasjes së dy të moshuarve në Dropull, fqinja: Ishin pa fëmijë, kishin vetëm njëri- tjetrin

Mëngjesin e kësaj të enjte në fshatin Bodrisht të Dropullit, u zbuluan të pajetë dhe të dhunuar, dy trupat e një çifti të moshuarish. Burrë e grua në të 80-tat u gjetën të vdekur në banesë nga fqinja, e cila ishin lajmëruar nga një familjar i të ndjerëve.

Të paktën kështu tregon një banore e fshatit, e cila thotë se motra e viktimës ka lajmëruar fqinjen e të moshuarve për të parë se çfarë ka ngjarë, pasi të ndjerët nuk hapnin telefonin.

“Jetonin vetëm, nuk kanë fëmijë. Nuk kujdesej njeri për ta. I gjeti fqinja, sepse e merrnin në telefon nga Athina, se ka një motër atje dhe nuk e ngrinin. Dhe i thanë shko dhe shiko si është puna”-tregoi një nga banoret e fshatit.

Kosta e Kleoniqi Ilia u gjetën të pajetë në oborrin e shtëpisë dhe në hyrje të saj. Banorja e fshatit tregoi se askush nuk ka dëgjuar zhurma.

“Ne probleme kemi patur me vjedhjet, por vjedhin e ikin, nuk vrasin njerëz. Por ka nja dy vjet që nuk ka më. Ata ishin çift i lumtur, s’kishin as fëmijë, ata ishin njëri për tjetrin.“-tregoi e moshuara.