Misteri zhdukjes së turistit në Valbonë: Dyshime se 28 vjeçari mund të jetë sulmuar nga një ari

Të tjera të dhëna dhe hipoteza janë ngritur së fundmi në median e huaj, në lidhje me zhdukjen misterioze të një turisti 28 vjeçar në alpet e Shqipërisë. Kameron Tuis (Cameron Twiss) humbi gjurmët që më 13 tetor pasi u nis në një shteg 17 km midis Valbonës e Thethit, një zonë e ngarkuar me turistë.

Së fundmi në median e huaj po raportohet se 28 vjeçari mund të jetë vrarë nga një kafshë e egër, me gjasë një ari. Sulmet nga kafshët e egra në këtë zonë janë tepër të rralla, por kafshë të tilla janë parë në afërsi të shtegut.

Tuis thuhet se po udhëtonte i vetëm, pa një udhërrëfyes. Policia dhe vullnetarët e Shërbimit të Kërkimit dhe Shpëtimit Malor të Shqipërisë dhe Kosovës kaluan dy javë duke kërkuar në këmbë, me helikopterë dhe me dronë.

Daily Mail shkruan se një vullnetar i Shërbimit Shqiptar të Kërkimit dhe Shpëtimit, tha se Tuis mund të jetë sulmuar nga një ari i murrmë. 

Purnima Flanagan, një mike e 28 vjeçarit, ka ndarë mesazhet e saj të fundit me të zhdukurin.  Në mesazhin e fundit të dërguar, Tuis tha se po pinte vodka me një ‘shqiptar të rastësishëm’. 

“Ai ishte udhëtari i përsosur dhe gjithmonë bënte miq kudo që shkonte”, tha ajo. 

Flanagan tha se Tuis ishte nisur në shtegun e Valbonës me një grup turistësh nga qyteti, por një rrugë të shkurtër vendosi ta bënte vetëm.  Vetëm pasi mesazhet e saj mbetën pa përgjigje, mësoi se ai ishte zhdukur. 

“Unë thjesht nuk e kuptoj se si askush nuk mund të kishte parë apo dëgjuar asgjë. Besoj se ai kishte bërë miq në atë qytet, ai ishte një alpinist me përvojë dhe ishte i mirë me drejtimin”, tha ajo. 

Përpjekjet zyrtare të kërkimit u ndërprenë më 3 nëntor.