Mitsotakis: Kemi relata të mira me Shqipërinë, por integrimi i tyre kalon nga respektimi minoritetit grek

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nuk ka lënë jashtë vëmendjes së tij Shqipërinë, gjatë një interviste tradicionale vjetore, me rastin e hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Selanikut.

Së pari pas një planifikimi e kërkese nga autoritetet lokale prej afro 19 vitesh, Ministria e Transportit aprovoi fillimin e punimeve në rrugën Janinë- Kakavijë, një aks i rëndësishëm për lëvizjen e qindra mijëra makinave që kalojnë në kufirin mes shqiptaro-grek.

Së dyti Mitsotakis u ndalua dhe komentoi marrëdhëniet Shqipëri- Greqi, që siç tha ai, kaluan një “moment të vështirë” me burgosjen e shpalljen fajtor të Fredi Belerit (nën akuzën e blerjes së votave në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar në vend).

Mitsotakis tha se Greqia ka marrëdhënie të mira dhe kërkon që relatat të jenë përherë të mira me Shqipërinë. Nga ana tjetër Mitsotakis, theksoi se marrëdhëniet e mira si dhe integrimi i Shqipërisë në BE, ‘kalojnë’ nga respektimi i të drejtave të pakicës greke në Shqipëri.

 “Ne duam marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët tanë, përfshi edhe Shqipërinë. Kaluam një periudhë të vështirë dhe nuk dua të flas me detaje për rastin e Fredi Belerit. Dua të shpreh kënaqësinë time për faktin që ai ishte me ne në Panairin Ndërkombëtar dhe, që kjo aventurë krejtësisht e padrejtë dhe e panevojshme që ai kaloi, më në fund mbaroi.

Më lejoni të them edhe një herë se marrëdhëniet, duke parë imazhin e gjerë, pra marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, që ne duam të jenë shumë të mira, kalojnë nga respektimi i të drejtave të pakicës kombëtare greke të Shqipërisë.

Çështja e të drejtave pronësore nuk ka dalë asnjëherë nga axhenda jonë. Ajo po rikthehet, dhe ajo që ne do të bëjmë, është të sigurojmë, me ndihmën edhe të Fredi Belerit në Parlamentin Europian, që të drejtat pronësore të bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri të respektohen plotësisht.

Dhe do të thoja se ky është një kusht i domosdoshëm që Shqipëria të vazhdojë të ecë në rrugën e saj europiane”, tha Mitsotakis.