Mjeshtri i interpretimit, shuhet në moshën 75 vjeçare artisti Mirush Kabashi

Është ndarë nga jeta në moshën 75 vjeçare aktori i qindra roleve në teatrin shqiptar, mjeshtri i interpretimit të fjalës dhe emocionit, Mirush Kabashi.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët, të cilët përmes një njoftimi shkruan:

“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroj jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim. Me Respekt, Familja Kabashi!”

E ajo çka la pas ky artist i madh, janë dhjetëra role të papërsëritshme në teatër e ekran, një galeri personazhesh dhe një univers emocionesh të jashtëzakonshme.

Si mjeshtër i interpretimit, Mirush Kabashi do të kujtohet për rolet e tij të shumta, dhe faktin se ishte një ndër artistët që dinte të sillte në jetë poezinë shqiptare.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Artisti shqiptar me origjinë nga Gjakova la pas një trashëgimi të pasur artistike, si aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe filma. Ndër rolet e tij të larmishme, më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

Po ashtu, ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare. Jo vetëm kaq, ai është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Në vitin 1970 ai u diplomua si aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke kryer edhe detyrën e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar.

Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i “Mjeshtërisë se Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Që nga viti 2014 mban titullin “Nderi i Kombit”, ndërsa më parë kishte fituar titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Filmografia

* Kronikë provinciale (2009)

* Ne dhe Lenini (2008)

* Nata (1998)

* Edhe ashtu, edhe kështu (1989)

* Binarët (film) (1987)

* Telefoni i një mëngjesi (1987)

* Zëvendësi i grave (1987)

* Nxënësit e klasës sime (1984)

* Kohë e largët (1983)

* Dora e ngrohtë (1983)

* Shoqja nga fshati (1980)

* Një ndodhi në port (1980)

* Gëzhoja e Vjetër (1980)

* Radiostacioni (1979)

* Koncert në vitin 1936 (1978)

* Zani partizani (1976)

* Emblema e dikurshme (1976).