Momentet e përleshjes fizike, çfarë ndodhi në Kuvendin e Kosovës

“Kjo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është me të vërtetë e papranueshme; përdorimi i dhunës është edhe i ndëshkueshëm, i dënueshëm nga të gjithë ne… (nëse ka pasur sulm fizik në Kuvendin e Kosovës), ai do të trajtohet prej ligjit, ashtu siç thonë ligjet tona dhe organet e rendit”.

Kështu është shprehur Kryetari i Parlamentit Glauk Konjufca, në një reagim të fundit për atë që ngjau sot në Kuvendin e Kosovës, atje ku deputetë të opozitës tentuan të sulmojnë fizikisht kryeministrin Kurtin dhe pjesëtarë të tjerë të qeverisë.

Gjithçka nisi kur kryeministri Albin Kurti ishte në podiumin e parlamentit duke mbajtur fjalën. Kurti u sulmua nga deputetë të opozitës, të cilët e qëlluan me ujë teksa të tjerë brohorisnin duke i thënë “rrenc” (mashtrues).

Situata u provokua në momentin kur zv.kryeministri Bislimi u çua nga karrigia e tij dhe grisi një fotografi që Ganimete Musliu (deputete e PDK) e kishte vendosur para foltores (në foto Kurti me hundë si të Pinokut). Prej këtu, deputeti Mërgim Lushtaku i ka hedhur ujë Kurtit si dhe Besnik Bislimit. Situata u rëndua më tutje teksa pati përleshje fizike dhe me Ministrin e Financave Hekuran Murati. Policia dhe mbrotja e afërt e kryeministrit ndërhynë për të ndaluar përplasjet, ndërsa kuvendi shpalli dy orë pushim.

Kujtojmë se këtë javë në median e Kosovës (fillimisht nga Nacionale.com) janë publikuar disa përgjime të shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari- Lula. Kjo e fundit bisedon me Sllavko Simiç-in e Listës Serbe, i cili dëgjohet teksa thotë se ai ia ka mundësuar bisedimin (disa herë sipas tij) me Milan Radoiçiç, i vendosur në listën e zezë të SHBA-ve.

Para se të sulmohej, Kurti po fliste pikërisht për Radoiçiç.

“Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi”, ka thënë Kurti.

Prej vitesh LVV ka qenë kritike ndaj personave që kanë mbajtur kontakte me Radoiçiç, duke sulmuar këdo që ka patur biseda me të. Por në audio përgjim, del se numri dy i partisë, kryetarja e grupit parlamentar, të ketë patur komunikim me nënkryetarin e Listës Serbe.

Kujtojmë se Radoiçiç është në listën e zezë të SHBA-ve për “përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar” si dhe personi i akuzuar si i përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç.