“Mos qaj mami, të dua shumë” Vogëlushja 3 vjeçe me tumor në kokë ngushëllon nënën

Si mund të mos mbytesh në të qara kur përballë ke fëmijën shtruar në spital? Ndaj dhe qan kjo nënë. Përballë ka vajzën e vetme, prekur nga një sëmundje që mund t’i marrë jetën.

E sërish është kjo vogëlushe, që sapo sheh lotët e nënës zgjat dorën e saj të vogël për të fshirë dhimbjen, për t’i larguar nënës një vuajtje që e ka përfshirë dhe nuk e lëshon prej mëse një muaji, qëkur mori lajmin se e bija… ka tumor në kokë.

“Të keqen mami jote ty, do shërohet Ami shumë shpejt… mirë zemra ime? Se do të festojmë ditëlindjen mam, me shokët edhe shoqet. Mami të do shumë (qan)… do shërohet Ami, do të iki tek kopshti. Ami është gocë e fortë (qan)”-i thotë nëna të bijës, ndërsa ajo zgjat dorën drejt saj.

“Mos qaj mami”

“Jo nuk qan mami jo… mami të do shumë”-i thotë me zërin që i dridhet nëna të bijës duke e përqafuar.

“Të dua shumë mami…”-i përgjigjet Amajra.

Janë këto skenat e dhimbshme me të cilat përballet kjo nënë. Njëlloj dhimbshëm dhe Durimi, babai i tre vjeçares. I duhet të durojë diçka që të thyen zemrën në copa, i duhet të buzëqeshë para të bijës prekur nga tumori, i duhet ta gëzojë e t’i heqe mendjen vajzës, nga hija e errët që rritet, që rrezikon jetën e të bijës.

Babai: Çfarë të ka babi ty?

Amajra: Dashuri…

Babai: Tjetër?

Amajra: Mrekulli

Babai: Tjetër?

Amajra: Pasuri…

Babai: Tjetër o princeshë?

Amajra: Princeshë…

Babai: Të kam dritën e syve o shpirt. Sa goca ka babi?

Amajra: Një.

Babai, Durimi: Babi ty të ka mrekulli