“Daily Mail” ka publikuar së fundmi një intervistë me një 15 vjeçar shqiptar i quajtur Florjan, i cili njëlloj si shumë të rinj ishte joshur për të udhëtuar ilegalisht në Britaninë e Madhe, me shpresën se atje do të kishte mundësi për t’u pasuruar.
15 vjeçari rrëfeu se pesë muajt e tij në Angli ishin katastrofike, ndaj ai i është drejtuar me një mesazh bashkëmoshatarëve dhe shqiptarëve në tërësi, duke u thënë “mos shkoni në Britani”.
Flori rrëfen për “Mail” se gushtin e vitit të kaluar, ai u tha prindërve se do të shkonte për pushime duke mos u treguar se në fakt do të ndërmerrte rrugën e rrezikshme me gomone nga Franca drejt Britanisë. Ai u kishte paguar trafikantëve një shumë prej 4500 paundësh për udhëtimin në kanalin anglez (nga Franca në Dover të Britanisë).
Flori ishte nisur për në Britani me qëllimin për të punuar si mekanik makinash në një prej komuniteteve shqiptare në Britani. Familja e tij pranoi të fliste për median britanike, duke thënë se shumica dërrmuese e të rinjve që ikin nga vendi besojnë në tregimet se mund të pasurohen shumë shpejt në Mbretërinë e Bashkuar.
Flori i kishte gënjyer prindërit e tij për udhëtimin, duke u thënë se do të shkonte për pushime 10 ditore në Belgjikë, atje ku jetonin të afërm të familjes.
“Shumë nga shokët e mi të shkollës kishin shkuar tashmë në Angli për të gjetur punë. Doja të largohesha nga Shqipëria dhe të bëja të njëjtën gjë. Kemi marrë një autobus nga Tirana për në Bruksel dhe kemi rezervuar një dhomë hoteli në vendin e quajtur Marigold Apartments.
Më duhej të merrja hua 4,500 £ nga të afërmit në Belgjikë për të blerë vendin tim në varkë. Unë ende i kam borxh paratë dhe u kam premtuar se do t’ua kthej një ditë”-tregon 15 vjeçari.
Me afro 44 vetë të tjerë në gomone, Flori u nis në javën e dytë të gushtit drejt Britanisë.
“Ishte shumë plot. Kishte shqiptarë, iranianë dhe shumë arabë.”-kujton adoleshenti. Ai tregon mandej për “The Mail” se në mes të kanalit anglez, ata u ndeshën me një varkë të Forcave Kufitare Britanike. Autoritetet i dërguan të gjithë emigrantët në Dover. Me të mbërritur në port, ata u intervistuan.
“Më morën në një anë pasi isha nën 18 vjeç. Më morën telefonin, rrobat dhe i futën në një qese plastike blu. Më dhanë një palë tuta gri. Më vendosën një rrip dore me një numër, në vend të emrit, sepse kishin shumë prej nesh për të parë.”-rrëfeu 15 vjeçari.
Për shkak se ishte i mitur, policia i kërkoi Florit që t’i jepnin numrin e telefonit të babait të tij. Mbi momentin, Sulejmani (babai i Florit) tregon për median britanike.
“Kam marrë një telefonatë të papritur… Një oficer tha se djali im ishte në Angli dhe ata do të kujdeseshin për të. Unë u tmerrova”.-tregoi babai i 15 vjeçarit.
“Isha shumë i shqetësuar se prindërit e mi do të ishin të zemëruar me mua. I thashë policisë se nuk po kërkoja azil. Thashë se doja të bëhesha mekanik makinash, të kisha një arsim të duhur dhe të fitoja paratë që janë të pamundura në Shqipëri”.-kujton Flori.
Florjani u dërgua me autobus në kampin e mbajtjes së emigrantëve, në Manston të Kent-it, atje ku iu morën gjurmët e gishtërinjve dhe u fotografua. Më pas 15 vjeçari u vendos në një strehë me qindra emigrantë të tjerë të moshave 17 vjeç e më poshtë, të cilët njëlloj kishin ardhur me gomone apo kamionë në Britani.
Pas një nate atje, Flori tregon se u dërgua në një hotel buzë detit, pasaporta iu mbajt nga autoritetetet si një mënyrë për të penguar të rinjtë e pashoqëruar që të zhduken drejt e në duart e trafikantëve apo bandave kriminale.
“Isha i frikësuar se çfarë do të ndodhte më pas. Isha i shqetësuar se kisha ardhur në Angli pa lejen e familjes. Ishte e frikshme… Ata kishin roje sigurie rreth hotelit sepse ne ishim fëmijë. Nuk mund të dilje. Na lanë të luajmë futboll në plazh. Por rojet ishin gjithmonë aty. Kishte ëi-fi që të mundja të flisja në ËhatsApp me prindërit e mi gjatë gjithë kohës. Nëna ime ishte shumë e mërzitur dhe qante gjatë telefonatave tona”.-kujton Flori.
Pas pak kohësh, Flori mësoi nga një punonjës social se do të lëvizte sërish, kësaj here tek një familje kujdestare.
“Mbeta jashtë. Dera ishte mbajtur hapur dhe më priste një zonjë e quajtur Christine, rreth të 60-ave. Ajo më tregoi dhomën time. Ishin dy djem të tjerë, të dy adoleshentë anglezë në kujdestari”.-kujton Flori.
Në pamundësi për të folur anglisht, adoleshenti shqiptar tregon se ka mundur të komunikojë përmes “Google Translate”.
“Nuk kishte asgjë tjetër për të bërë. Gjatë gjithë shtatorit qëndrova në dhomën time duke parë telefonin tim”.
Autoritetet ndërkohë kishin telefonuar familjen e Florit në Shqipëri, për t’i thënë se djali i tyre kishte lëvizur dhe ndodhej në duart e një kujdestareje.
“Christine më dha një kartë SIM për telefonin tim dhe disa kredite. Pas disa javësh, në fillim të tetorit, ajo tha se do të shkoja në shkollë. Më dhanë një uniformë të zezë dhe ajo më çoi atje të premten në mëngjes”.
Gjatë fundjavës, Florjanin e pushtoi paniku për kthimin në shkollë të hënën. Ai iu shkroi në ËhatsApp disa të afërmve në Leeds (Britani) duke u lutur për ndihmë. Flori rrefuzoi t’u përmendë emrat atyre, por shpjegoi se ato e morën për ta larguar nga shtëpia kujdestare. Eventualisht adoleshenti u largua, ndërsa gruaja që kujdesej për të lajmëroi policinë.
Flori më tutje ka telefonuar të atin, ndërsa Sulejmani i tha që të dorëzohej në një komisariat.
“Unë i thashë se duhet të kërkojë të kthehet në Shqipëri pasi nuk i pëlqente Anglia. Djali im ishte i frikësuar për vdekje nga kthimi në Somerset dhe nga vetmia. Ai nuk donte të kthehej në atë shkollë ku nuk njihte askënd”.-tregoi babai i 15 vjeçarit.
Përfundimisht, Florjani shkoi në një komisariat dhe oficerët thirrën sërish familjen e tij.
Babai i tij thotë: “U luta ta ndihmonin. Thashë se është fëmija im i dashur. Dërgojeni atë tek ne në shtëpi. Ai po qan. Ai është në vështirësi. Ai thotë se nuk e di se çfarë do të bëjnë anglezët me të”.
Flori më në fund pranoi të kthehej. Policia e dërgoi adoleshentin sërish tek gruaja kujdestare, atje ku ai priti nga nëntori deri në Janar, kohë në të cilën erdhi në Shqipëri.
“Anglia ishte një zhgënjim i madh”, pranon Florjani, i cili bën 16 vjeç në qershor. ‘Djem të tjerë që shkojnë me varka kanë të afërm që i marrin në shtëpitë e tyre. Fillojnë të punojnë për para në tregun e zi. Nuk kishte kush të më ndihmonte. Isha vetëm”.
“Kur u zhduka në Leeds, babai më tha përmes telefonit që të mos përfshihesha në asnjë aktivitet kriminal. Më urdhëroi të mos punoja ilegalisht në fermat e kanabisit apo lavazhe. Unë u bllokova”.
“Më bënë keq sepse më dërguan në një fshat të largët larg qyteteve ku ka shqiptarë për të biseduar, për t’u përzier me ata të cilët më kuptojnë”.
Gjatë kësaj kohe, babai i Florit kishte pësuar dhe një atak në zemër si pasojë e stresit të madh.
Përveç kujtimeve të këqija, e vetmja gjë e mirë për familjen që ka ardhur nga udhëtimi i dështuar i Florjanit në Britani është një kartë krediti e ngarkuar me 3000 £ që i është dhënë nga Home Office për t’i shpenzuar në Shqipëri.
“Shpresat e mia për të punuar si mekanik makinash kanë mbaruar. Gjithçka që kam mësuar është se theva zemrat e nënës dhe babait tim duke shkuar në Angli. Tani e di që nuk kam të ardhme në vendin tuaj”.