Motra i merr jetën të motrës në Tiranë: Zbardhet dëshmia e 40 vjeçares, autores së dyshuar

Një 37 vjeçare e identifikuar si Amanda Pushani ka gjetur vdekjen nga dora e të motrës, e cila e ka qëlluar me thikë në bark pas një konflikti në banesën e tyre në Tiranë. 40 vjeçarja Marsela Pushani me profesion mësuese e gjuhës shqipe, është arrestuar tashmë nga policia.

Ne te majte Marsela (autorja dyshuar), ne te djathte Amanda (viktima)

Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme (2 shtator) në mesditë, por nuk është raportuar pasi fillimisht familjarët kanë tentuar ta fshehin ngjarjen si një vdekje natyrale. Krimi është zbuluar fill pas konstatimit të plagës në trupin e të resë e cila ishte goditur në pjesën e poshtme të barkut me mjet prerës.

E ndjera mbushte 37 vjeç ditën e nesërme (4 shtator). Shkak i krimit në familje besohet të jetë bërë debati dhe konfliktet e rënduara mes motrave. Kjo për arsyen se e ndjera ishte e alkoolizuar dhe kishte patur një seri me zënka me të motrën. Amanda e Marsela jetonin në të njëjtën banesë së bashku me nënën e tyre.

Autorja e dyshuar e krimit ka treguar para hetuesve se nuk ka dashur të vrasë 37 vjeçaren dhe se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.

 “Nuk kam dashur ta vras motrën, veprova në kushtet e vetëmbrojtjes. Prej më shumë se 10 vitesh ishte e alkoolizuar dhe problematike. Në mëngjes kemi pasur debat pasi i kërkonim që të linte alkoolin. Amanda mori thikën dhe më kërcënoi mua dhe mamanë se do të na vriste. Situata u tensionua dhe veprova në kushtet e vetëmbrojtjes”, ka thënë 40 vjeçarja.

Marsela Pushani më tutje ka deklaruar para hetuesve se e motra e ndjerë shpesh herë kishte shkuar nëpër dyqanet e lagjes (nëna me të bijat banonin në rrugën “Hajdar Hidri”) dhe i kishte kërcënuar shitësit për t’i dhënë pije. Përndryshe, u thoshte se do t’u thyente dyqanet. Më tutje 40 vjeçarja ka deklaruar se të shtunën (dje) e motra ka ardhur në orët e mëngjesit e dehur në shtëpi pasi kishte kaluar gjithë natën jashtë ambienteve të shtëpisë. Atje ka nisur dhe konflikti.

Në polici janë shoqëruar po ashtu dhe të afërm të familjes, për të hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë.

Njoftimi i policisë:

Ditën e djeshme, rreth orës 11:40, është marrë njoftim se në rrugën “Hajdar Hidri”, shtetasja A. P., 37 vjeçe, kishte ndërruar jetë dyshohet për shkaqe natyre.

Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe pas konstatimit të trupit të pajetë të shtetases A. P., 37 vjeçe, e cila fillimisht është raportuar si vdekje natyrale nga familjarët, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara në lidhje me rastin, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Pas kryerjes së autopsisë ka rezultuar se shtetasja A. P., 37 vjeçe, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një mjet prerës.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasen M. P., 40 vjeç, (motrën e saj), banuese në Tiranë, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti ka goditur me mjet prerës shtetasen A. P., e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”