Mrekullia e Bajramit nuk mjaftoi… Shqipëria humb përballë Italisë me rezultatin 2-1

Nuk ka mjaftuar goli më i shpejtë i të gjithë historisë së kampionatit europian shënuar nga Nedim Bajrami. Shqipëria ka humbur ndeshjen e saj të parë në këtë Euro24, përballë kampionëve në fuqi të Italisë.

Në tërësi 90 minutëshi foli për ‘azurrët’ të cilët arritën të mbizotërojnë kontrollin e topit, duke krijuar kësisoj më shumë raste, dy prej të cilave i dërguan në portë në pjesën e parë të ndeshjes.

Goli i Bajramit në sekondën e 23-të ishe një surprizë për të gjithë. Një gabim në hedhjen e topit me dorë nga ana e Dimarco-s u shfrytëzua nga mesfushori jonë, i cili realizoi një gol që theu rekordin 20 vjeçar të shënuar në ndeshjen Rusi-Greqi në vitin 2004.

Pavarësisht golit që e fut në histori Shqipërinë, kuqezinjtë u thyen përball italianëve. Golin që solli barazpeshën e shënoi Bastoni përmes një goditje me kokë në minutën e 11-të të ndeshjes.

Prej golit të parë, ‘azurrët’ arritën të dominojnë lojën, duke u rrezikuar përherë e më shumë, derisa në minutën e 15’-të, një goditje nga jashtë zonës e Barella-s solli avantzhin për Italinë.

Pjesa e dytë nisi më e qetë, me kontrollin e tipit sërish në anën e italianëve. Në minutat e fundit të ndeshjes, Rei Manaj arriti të depërtojë dhe godasë topin… golin e mohoi portieri i Italisë, i cili e devijoi trajektoren e topit përmes shpatullës. Ky ishte dhe rasti më i mirë për kuqezinjtë, të cilët nuk arritën dot të barazojnë rezultatin.

Tanimë, Shqipëria renditet në vendin e tretë, ndërsa Spanja e Italia kryesojnë grupin. Kroacia renditet në vendin e fundit pas humbjes 3-0 përballë Spanjës.