Kur mjeku doli nga operacioni, përpara gjeti nënën e Andit. Ajo priste prej mbi 15 orësh në ankth, për të ditur nëse i biri ia kishte dalë. Mjeku i dha lajmin e mirë dhe më tutje i tha… falendero Zotin, Andi është gjallë.
E me të vërtetë, ajo që ndodhi me Andin e vogël nga Kosova, është një mrekulli. Pak javë më parë, vogëlushi 1 vjeçar dergjej në shtratin e spitalit në Prishtinë, me probleme serioze në zemër. Gjendja e tij ishte e atillë, që nëse nuk ndërhyhej, vogëlushi do të largohej nga kjo botë.
Pranë Andit qëndronte e ëma, e cila derdhte lot dëshpërimi. Përmes “Shqiptarët për Shqiptarët”, ajo u lut për ndihmën e bamirësve… dhe ata iu përgjigjën. Në një kohë rekord, Andi u dërgua drejt Italisë me avion spitalor për t’ju nënshtruar një ndërhyrje mjaft komplekse.
Pak para ndërhyrjes, Elvis Naçi përcolli një foto të Andit dhe kërkoi nga shqiptarët një lutje për vogëlushin.
Kanë kaluar jo shumë ditë nga ai moment dhe sot, Andi është mes nesh. Falë Zotit. Falë shqiptarëve zemërmirë që ia mundësuan Andit kurimin. Elvis Naçi priti vogëlushin dhe nënën e tij pas ardhjes në aeroportin e Rinasit dhe dha një mesazh prekës.
“Sonte jam shumë i gëzuar, jam me një princ. Sot e kam kuptuar edhe më shumë se ai që e shpëton një jete, është sikur të ketë shpëtuar gjithë botën. Do të thoni kush është ky princ i shpëtuar… ai është Andi. Është e paimagjinueshme që sot është në dorën time. Kur hyri në operacion, 90% mjekët mendonin se nuk do të dilte nga salla. Ne të gjithë motrave e vëllezërve i thamë të bënin lutje, sepse kur do Zoti që dikush të ketë jetë, ai nuk ndalon asnjëherë. 15-16 orë në operacion, e paimagjinueshme. Shpresat dukeshin të vogla, por ja që Zoti është i madhnueshëm, bamirësit janë të mrekullueshëm, mjeku ishte i nderuar dhe profesionist… e ja sot Andi është me ne.
Kush shpëton një jetë, është sikur ka shpëtuar të gjithë botën. Zoti ju shpërbleftë të gjithëve dhe falenderimet për çdo mirësi na ndodh i takojnë Zotit të Gjithësisë..”-tha Elvis Naçi.