Murhaf Hamid, emigranti 11 vjeçar që mblodhi çerek milioni dollarë për fëmijët në nevojë

Murhaf Hamid shpresonte se do të mund të blinte një pizza dhe ta hante me shokët e tij, në momentin kur nisi të shesë karfica në formë lulesh (të quajtura “Majblommor”) në një prej rrugëve në një qytet në jug të Suedisë.

Fëmijët e moshave 9 deri në 12 vjeç lejohen të shesin të tilla karfica, si pjesë e një organizimi që bën shoqata më e madhe bamirëse e vendit, me qëllim për të luftuar varfërinë mes familjeve të pamundura që kanë fëmijë. 11 vjeçari, pjesë e një familje emigrantësh, mund të mbante afro 10% të parave që do të mblidhte duke shitur karficat dhe dëshira e tij ishte të hante diçka me shokët…

Por teksa vogëlushi shiste në anë të rrugës, disa persona në moshë madhore nisën ta tallin, përçmojnë dhe t’i bërtasin duke i thënë që të lëvizte nga rruga. I prekur nga fjalët fyese, vogëlushi u largua me lot në sy… por ngjarja u pa nga Leila Orahman, një mike e familjes së 11 vjeçarit. Leila e përcolli rastin në rrjetin social, zemërthyer për mënyrën sesi disa persona e kishin trajtuar 11 vjeçarin.

E shumë shpejt, postimi i saj u bë viral në rrjetin social, u publikua në mediat lokale dhe brenda disa ditëve, njerëzit e komunitetit dhe më gjerë, u mblodhën bashkë për të dhënë donacione për vogëlushin. Vetë Murhaf dhe Leila që kishte nisur një gofund me, shpresonin të mblidheshin disa para… por shumë arriti në 223,200 dollarë. Të gjitha paratë do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve në nevojë, ndërsa për vetë vogëlushin, njerëzit dhanë afro 11 mijë dollarë në bakshishe.

11 vjeçari tregoi se kurrë nuk ia kishte pritur mendja se do të shiste aq shumë karfica e se njerëzit do ta mirëprisnin orvatjen e tij për të qenë pjesë e modelit të bamirësisë.