“Na thanë u rrëzua në tokë e vdiq” Flet motra e Egli Progës, babait të dy fëmijëve që u rrah për vdekje në Pogradec

“Dallohej qartazi që ishte dhunuar, por nuk thuhej nga askush që ishte i dhunuar. E kanë vrarë, e kanë masakruar në mes të rrugës në tufë, e kanë braktisur, e kanë lënë. Ambulanca nuk vinte, u vonua gjysmë ore që Pogradeci për 2 minuta arrin. Policia nuk pranonte të lëvizte trupin pa ardhur ambulanca, mund të ishte gjallë aty, mund ta shpëtonin.”

Këto janë fjalët e motrës së Egli Progës, 42 vjeçarit që u rrah për vdekje dy ditë më parë në Pogradec nga një 29 vjeçar i quajtur Denis Meçe.

Motra e të ndjerit ka deklaruar se kur ka shkuar në spital për të parë të vëllain, e ka kuptuar menjëherë se plagët ne kokë, fytyrë e trup, ishin shenja të qarta të një dhune barbare. Ajo tregoi në një prononcim për median se me të dalë nga spitali pyeti policinë, e cila i tha asaj se babai i dy fëmijëve ishte rrëzuar në tokë.

Prononcimi i plotë i motrës së 42 vjeçarit

Motra e viktimes

“Më ka marrë djali tezes në telefon dhe më tha urgjent në spital. Vrapoj për atje, futem te urgjenca, shoh Eglin të shtrirë, të masakruar. Mjekët ishin duke i dhënë ndihmën e fundit, ne se pranonim dot që kishte ndodhur derisa mjekët thanë që ti hiqnin pajisjet. Në shok kam dalë jashtë, pyes policët çfarë ka ndodhur dhe më thonë është rrëzuar.

Kanë folur për pjesën që është rrëzuar e deri që nuk e dimë, por jo të thoshin kemi lëshuar njerëz, po mbledhim prova, po marrim kamerat, po pyesim dëshmitarë. Policia ka lëvizur shumë vonë. Do të thotë që kanë qenë në lëvizje nga të tjerët për tu sjellë kështu. Akoma asnjë gjë, informacioni vetëm është marrë nga mediat. Mirë që si lexova që ka vdekur në gjendje të dehur nga rrëzimi, se nuk e di si do ta përballoja.

Dallohej qartazi që ishte dhunuar, por nuk thuhej nga askush që ishte i dhunuar. E kanë vrarë, e kanë masakruar në mes të rrugës në tufë, e kanë braktisur, e kanë lënë. Ambulanca nuk vinte, u vonua gjysmë ore që Pogradeci për 2 minuta arrin. Policia nuk pranonte të lëvizte trupin pa ardhur ambulanca, mund të ishte gjallë aty, mund ta shpëtonin.

Egli ishte njeriu më i butë, më i dashur, e donin të gjithë, ishte familjar, ishte në punën e tij. Sa ka mbyllur punën, ishte në qejf, nuk e di çka ndodhur. E kanë kthyer, e kanë provokuar, dhe më pas e kanë vrarë. Është vrasje në bashkëpunim, sështë vetëm një njeri, këtu është në bashkëpunim dhe shteti që ka pritur, e ka fshehur ngjarjen. Nuk ka patur shirita, makinat kalonin aty, njerëzit pinin kafe.

Kjo është vrasje nga të gjitha anët, me gjakftohtësinë më të madhe, nuk është një vrasës, kjo gjë sapo ka filluar dhe mos guxojë askush të bëhet palë. Kushdo që ka guxuar mos të guxojë më.

Të hetohet çdo gjë në detaje, çdo gjë që ka ndodhur, çdo gjë që është bërë në bashkëpunim, çdo frymë që ka kaluar atje, çdokush që e ka parë, gjithë plehrat që janë fshehur, çdo kafshë që ka guxuar të jetë atje e ka frikë e fshihet. Si thonë që nuk kemi parë gjë kur shohin të masakrohet një njeri i pambrojtur? Kush është i forti këtu kur goditet i pambrojturi?”

NISIN HETIMET MBI VEPRIMET E POLICISË SË POGRADECIT

Autori i dyshuar i krimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të nisur një hetim mbi procedurat e ndjekura nga policia e Pogradecit, në lidhje me vrasjen e Egli Progës.

Urdhri i Rrumbullakut erdhi këtë të hënë, në një kohë kur në media hidhen dyshime se policia e Pogradecit ka tentuar ta fshehë fillimisht vrasjen e babait të dy fëmijëve. Fillimisht ngjarja u raportuar si një vdekje aksidentale. Policia sqaroi në njoftimn paraprak se 42 vjeçari ishte rrëzuar në tokë dhe se ishte në gjendje të dehur.

Por më vonë e vërteta rezultoi të ishte krejt ndryshe. 42 vjeçari ishte rrahur barbarisht dhe ndërroi jetë pak pasi shkoi në spital, për shkak të traumave dhe hemorragjisë në pjesën e kokës. Autori kryesor i dyshuar i krimit, një 29 vjeçar i quajtur Denis Meçe. Ky i fundit, nipi i ish drejtorit të postës së Korçës, u arratis pasi rrahu barbarisht babain e dy fëmijëve. Arrestimi i tij u bë një ditë pas ngjarjes. Veç 29 vjeçarit u arrestuan dhe tre persona të tjerë, të cilët u akuzuan nga policia për moskallëzim të krimit dhe veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës.

Mbi çështjen Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, do të vlerësojë të gjitha veprimet e ndërmarrja nga ana e policisë së Pogradecit, që prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen.