Ndërron jetë në moshën 60 vjeçare legjenda e mundjes së Tiranës, Petrit Hajdari

Ka ndërruar jetë në moshën 60 vjeçare Petrit Hajdari, një ndër mundësit kampionë të Tiranës.

Lajmin e hidhur e ka bërë publik përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social ish kreu i KOKSH-it Viron Bezhani.

“U prehsh në paqe miku im Petrit Hajdari!

Sot më duhet t’i them lamtumirë nga Dardha e Korçës, mundësit të shquar, mikut, sportistit dhe kolegut tim të mirë Petrit Hajdari. Një humbje e madhe për të gjithë komunitetin e mundjes, jo vetëm atij të Tiranës por edhe të gjithë mundjes shqiptare për atë çfarë ka dhënë ky sportist për këtë sport.

Respekti e mirënjohja ime shkon për kujtimin e këtij mundësi jo vetëm për atë që ka dhënë por edhe atë që ka transmetuar te brezat e rinj.

Faleminderit nga zemra për gjithçka që i ke dhënë këtij sporti, duke qenë i bindur se për këtë kontribut të madh nuk do të harrohesh kurrë. Lamtumirë, Petrit Hajdari, nderi i mundjes tiranase”, shkruan Bezhani.