Ndërron jetë punonjësi i pastrimit të rrugëve, arrestohet 29 vjeçari që e përplasi në rrugën Tiranë- Durrës

Ka humbur jetën këtë të martë në spital një 51 vjeçar i cili u aksidentua mbrëmjen e djeshme në autostradën Tiranë- Durrës, nga një drejtues makine në moshën 29 vjeçare.

29 vjeçari banues në Këlcyrë e ka goditur me makinë të ndjerin, i cili ishte punonjës i pastrimit të rrugëve. Për shkak të lëndimeve të marra, 51 vjeçari humbi jetën këtë të martë.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. Y., 29 vjeç, banues në Këlcyrë, Përmet, pasi automjeti që drejtohej nga 29-vjeçari, ditën e djeshme, përplasi në autostradën “Tiranë-Durrës”, shtetasin Sh. A., 51 vjeç, banues në Tiranë (punonjës për pastrimin e rrugëve). Për shkak të dëmtimeve të marra, 51-vjeçari ka humbur jetën ditën e sotme, në spital. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”-njoftoi policia.