Ndezi zjarr për të djegur shkurret… dogji 1000 pemë ulliri në Shijak

Një 38 vjeçar i identifikuar si M. Marku është arrestuar nga policia në Shijak, pasi dyshohet se ka shkaktuar një zjarr që dogji sipërfaqe të madhe toke dhe rreth një mijë pemë ulliri.

Marku ka vendosur të djegë disa shkurre, por zjarri i ka dalë jashtë kontrollit, duke shkrumbuar 1000 pemë. Ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur shuarjen e flakëve.

Marku, banues në Shetel, akuzohet për veprën e “Shkatërrimit të pronës me zjarr”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit.

Njoftimi

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale të menjëhershme, të kryera nga shërbimet e Policisë, me qëllim përcaktimin e autorësisë së zjarrvënieve, u arrestua shtetasi:

-M. M., 38 vjeç, banues në Shetel, Shijak, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr, për të djegur disa shkure, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe toke dhe 1000 pemë ulliri.

Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve dhe shërbimeve të Policisë, mundësoi neutralizimin e flakëve të zjarrit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr, pasi reagimi i Policisë për arrestimin e autorëve do të jetë i menjëhershëm, konform parashikimeve të Kodit Penal për këtë krim.