Kur ishte fare e vogël, shkonte pas të atit që pasion ka futbollin. Mundohej dhe ajo të luante, derisa një ditë, një shoqe i tha të provonte sportin e karatesë. Që nga ajo kohë, 5 vite më parë, Mikela Skandaj ka arritur suksese të jashtëzakonshme.
Kjo vajzë është veçse 13 vjeçe, jeton në Itali dhe ka arritur të fitojë 40 medalje në sportin e karatesë brenda 4 viteve të fundit. Trajneri i saj i ka thënë se ka lindur për të bërë këtë sport. Në një intervistë më ‘skype’ për abc-në Mikela dhe i ati Angjelini, rrëfyen se dëshira e tyre më e madhe është që Mikela të mund të bëhet pjesë e përfaqësues së Shqipërisë në sport.
“Unë që kur kam qene e vogël, kam pasur pasion futbollin si babi im. Më pas në 2017 kam filluar të luaj volejboll, një vit gati. Por një shoqja ime më tha, pse nuk bën karate, ik provoje dhe unë e provova. Aty fillova karrierën time”, tha Mikela.
“Të jem i sinqertë, kur unë luaja me skuadra amatore në Verona dhe kisha sukses, fitova disa kupa, vajza ishte e vogël por vinte me mua. Hynte në fushë ndonëse ishte e vogël dhe e pash që ky fëmijë kishte pasion sportin. Edhe filloi të lunate futboll, shkuam të shikonim një ndeshje me femra në Verona, sepse këtu ku ishim ne nuk kishte. Nuk kisha mundësi të them të drejtën, edhe pse ishte e talentuar.
Deri më tani Mikela ka 40 medalje dhe titullin e nënkampiones së Evropës.
“Kur kam filluar, trajneri më tha se jam e lindur për këtë sport. Më pëlqeu shumë dhe tanimë është sporti im. Kam një karrierë shumë të bukur. Aktualisht jam nënkampione e europës, për moshat. Në tetor i mbush 14 vjeç… unë do të doja të hyj në kombëtaren shqiptare, sepse është shteti im, vendi im.”-tha Mikela.
“Të jemi të sinqertë të dy, e ndjejmë me zemër të përfaqësojmë flamurin e kombin tonë. Sa herë Mikela ka marrë medalje, e ka patur pranë flamurin tonë, por është ndryshe të garosh me ngjyrat e vendit e ato të Italisë”-tha Angjelini.