Një lëvizje e beftë për të shmangur përplasjen me makinën e shokut. Ky mund të ketë qenë shkaku i aksidentit tragjik me dy viktima në Italinë fqinje, atje ku humbën jetën 19 vjeçarja shqiptare Eralda Spahillari dhe 17 vjeçarja italiane Barbara Brotto.
Media italiane ka sjellë detaje të reja në lidhje me hetimin i cili duket se ka marrë një tjetër kthesë. Tashmë hetuesit gjykojnë se kemi të bëjmë me një garë me makina mes miqve, e cila rezultoi në aksidentin tragjik.
“Il Gazzettino” ka raportuar se makina që drejtohej nga Mikele Tatani (shqiptar me origjinë), i fejuari i Eraldës, mund të ketë përfunduar duke u përplasur me një pemë në anë të rrugës, në momentin kur ka evituar përplasjen me një mikun e tij i quajtur Gëzim Qerosi (shqiptar po ashtu), 18 vjeçar.
Dy janë pistat e hetuesve, siç raporton media italiane. Tatani është munduar të parakalojë me shpejtësi makinën “Volkswagen Polo” të mikut të tij Gëzim Qerosi dhe prej aty ka humbur kontrollin… ndërsa pista e dytë, makina “Polo” është spostuar në qendër të rrugës për t’i zënë rrugën parakalimit të makinës “BMW” të Tatanit, duke e dërguar këtë të fundit mandej drejt e tek pema në anë të rrugës.
Tashmë hetimi mbi këto dy pista ka nisur. Mikele Tatani, i fejuari i të ndjerës Eralda Spahillari ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
“Il Gazzettino” raporton po ashtu se drejtuesi i makinës BMW kishte kultin e shpejtësisë. Të shumta janë videot e hedhura prej tij në rrjetet sociale ku ai drejton makinën me shpejtësi të larta.
Më herët babai i Mikele Tatanit deklaronte për median italiane mbi miqtë e të birit që ndodheshin në makinën tjetër.
“Kur arrita në vendin e aksidentit nuk kishte asnjë shenjë prej tyre. Ata u shfaqën disa orë më vonë, pa makinën që kishin përdorur më parë. Më thanë se nuk ishin aty në momentin e përplasjes, ishin në një rrugë tjetër. Por pyes veten pse “Poloja” e tyre ka një pasqyrë anësore të majtë të thyer dhe trupi i “BMW”-së sime ka gërvishtje në anën e djathtë. Unë i njoh prej vitesh ata fëmijë. Kanë ardhur për të ngrënë në shtëpinë time, gjithmonë i kam pritur. Megjithatë janë të vetmit që nuk kanë ardhur ende për të më ngushëlluar. Duket sikur janë zhdukur. Është e çuditshme”, tha ai.