Në karrige me rrota, Tefta Malaj shkon në funeralin e të bijës… 16 vjeçarja u shua nga dora e të atit

Gjatë paradites la spitalin ku qëndron prej disa ditësh dhe u nis në karrige me rrota drejt varrezave. Tefta Malaj shkoi në ceremoninë e varrimin e të bijës, e cila u vra nga dora e të atit.

Me disa plagë në trup prej goditjeve me thikë që pësoi nga i shoqi, Tefta mundi të shpëtojë. Mbijetoi falë ndërhyrjes së të bijës 16 vjeçe, e cila i doli para të atit që me thikë iu drejtua të shoqes.

Siç shkruan “Ansa”,  ceremonia funerale e 16 vjeçares u përcoll nga qindra njerëz, mes tyre dhe nxënësit e shkollës ku studionte adoleshentja.

“Dashuria për nënën të shtyu ta mbroje me trupin tënd… Sot je e Parajsës, e atje do mbetesh përjetë. Rinia jote lulëzon përjetë në qiell”-tha prifti që mbajti fjalën përgjatë ceremonisë.

Të shtunën e kaluar ndërkohë, po në Torremaggiore, u dërgua në banesën e fundit Massimo De Santis, shtetasi italian i cili u vra nga Taulant Malaj, shqiptari që i mori jetën mandej të bijës.

Autori ishte i bindur se e shoqja e tradhëtonte me italianin e ndjerë e për këtë natën mes datës 7-8 maj, me një thikë kuzhine, vrau me 20 goditje italianin dhe mandej të bijën, e cila i doli në mbrojtje të ëmës.