Në kërkim të 23 vjeçarit që i mori jetën policit në Fier, nëna autorit pa ngjarjen, zbardhet dëshmia e saj

Afro 24 orë pas ngjarjes së rëndë në fshatin Baltëz të Fierit, autori 23 vjeçar i vrasjes së oficerit të policisë Novruz Cenalia, vijon të mbetet në arrati. Të shumta kërkimet dhe pikat e kontrollit nga ana e policisë, të cilët dyshojnë se autori është fshehur në fshatrat përreth vendit të ngjarjes.

Hetuesit kanë marrë në pyetje një sërë personash, mes tyre dhe nënën e autorit, e cila rezulton të kishte qenë në makinë me të birin, në momentin kur ky i fundit ka ekzekutuar me plumb në kokë oficerin e ‘shqiponjave’.

Ajete Mërnica deklaroi para hetuesve se i biri dhe viktima debatuan për çështje të kalimit në rrugën e ngushtë të fshatit Baltëz. Ajo rrëfeu më tutje se i biri ka dalë nga makina pas debatit verbal dhe ka nxjerrë pistoletën me të cilën ka qëlluar një herë, duke lënë të vdekur në vend policin 28 vjeçar.

Gruaja ka thënë para hetuesve se i ka thënë të rinjve disa herë të mos acaronin situatën duke i thënë të birit dhe oficerit “mos, mos”, por 23 vjeçari ka dalë nga makina dhe ka qëlluar.

Deri më tani pista më e mundshme e hetimit rezulton të jetë ajo e përplasjes për kalimin në rrugën e ngushtë të fshatit.

Në pyetje është marrë dhe babai i viktimës, gjithashtu oficer i policisë. Ky i fundit punonte ditën e djeshme në sallën operative të policisë së Fierit dhe lajmin për vdekjen e të birit e ka mësuar atje.

Grupi hetimor duket se ka përjashtuar dy prej pistave të ngritura dje, që vrasja e 28 vjeçarit mund të ketë qenë hakmarrje për një ngjarje të ndodhur vite më parë në Has, por edhe pista tjetër, sërish ajo e hakmarrjes, për arrestimin e vëllait të autorit të ngjarjes, nga ana e babait të viktimës, lidhur me një vrasje të ndodhur në vitin 2019.