Në koma 1 muaj… historia inspiruese e të riut që shpëtoi mrekullisht prej rënies nga mali

Agon Gashi është një i ri nga Kosova, i cili për mrekulli i ka shpëtuar një aksidenti tepër të rëndë, atje ku ai theu 4 unaza të shtyllës kurrizore, brinjët, duart e shumë tjera. Afro 9 vite më parë Agoni kishte shkuar për ngjitje me shoqërinë e tij. Gjatë zbritjes, i riu rrëshqiti dhe ra nga një lartësi e konsiderueshme.

Për 1 muaj ai qëndroi në koma dhe për mëse një vit, mësoi edhe njëherë sesi të ecë e të mund të flasë. Sot Agoni punon si programues dhe ka pasion të bëjë truke magjike si iluzionist. Në një rrëfim për abc-në, Agoni tregoi rrugëtimin e tij inspirues.

“Aksidenti ka qenë para 9 vitesh. Kam qenë në mal me shoqërinë. Pasi kemi zbritur, ka qenë herët në mëngjes. Kam rrëshqitur e kam vazhduar tëposhtë. Kam thyer 4 unaza të kurrizit, dorën, etj. Kam qenë në gjendje kome 1 muaj, e në rehabilitim mëse 1 vit. Arsyeja se përse u ngrita, mendoj unë, ka qenë pozitiviteti im. Aksidenti ka qenë i tmerrshëm, por për mua ka qenë pozitive me mësuar sërish, me iu rikthyer edhe njëherë jetës, gjetjes së vetes. Ditën e aksidentit, arsyeja, shkaku, kanë qenë këpucët që kisha veshur. Kam patur atlete veshur.

Atëherë humba peshë të madhe. Isha nënpeshë, e kur ndodhi aksidenti shkova 50 kg, peshë shumë e vogël për një njeri mbi 1.8m. Është dashur shumë fizioterapi. Tanimë jam mirë sepse bëj palestër e fitnes.

Unë përpara e kam patur youtube-in si profesion, ku kryeja magji/iluzione. Por tani jam edhe trajneri i programimit, pasiqë jam dhe në përfundim të shkollës për teknologji informacioni.

Në kohën e aksidentit, nuk mund të ecja e madje as të flisja në fillim. Kur nisa të ec, ishte çudi sesi një gjë që e bën për tërë jetën, që ecën e vrapon, që flet, se unë në atë kohë edhe fytin e kam patur të hapur nuk flisja… pra është çudi sesi atë që e ke patur tërë jetën, e humb, të largohet. Kam këtë shenjë në fyt sepse u është dashur të ma hapin fytin për të rregulluar frymëmarrjen, trysninë e mushkërisë.”