Në shkollë e tallnin… historia e 11 vjeçares me ‘IQ’ të lartë sa Einstein, tanimë në master për matematikë

Kur ishte në moshën tre vjeçe Adhara Peres Sanchez nisi të pësojë regres në aftësitë e saj për të folur…prindërit e shqetësuar e dërguan të bijën tek mjekët, ndërsa këta të fundit e diganostifikuan Adharën si një fëmijë të prekur nga spektri i autizmit.

Me nisjen e shkollës fillore, vajza nisi të shfaqë edhe më tej shenja shqetësuese. Nuk dëshironte të qëndronte me shokët e shoqet e klasës… ndërsa shumë prej tyre e vinin në lojë apo e përqeshnin. E siç thotë mandej e ëma e vogëlushes, edhe mësuesit nuk ishin empatikë ndaj të bijës.

“Mësueset nuk ishin shumë empatike, shpesh më thonin se donin që ime bijë të mund të arrinte të bënte një detyrë… vajza nisi të rrijë e vetme, të mos kërkojë të luajë me shokët e shokët. Disa prej tyre e tallnin.”-tregoi nëna e 11 vjeçares.

E teksa në disa ditë, vajza as që donte të shkonte në shkollë, e ëma vuri re se e bija kishte memorizuar të gjithë tabelën periodike të elementëve. Në orvatje për ta larguar të bijën nga gjendja e mërzisë dhe vetmisë, ajo e dërgoi në një kurs. Terapisti që vëzhgoi vajzën, e kuptoi menjëherë se kishte të bënte me një mendje të veçantë, kur pa se vogëlushja ishte e aftë të kuptonte dhe bënte algjebër.

Terapisti e instruktoi familjen që vajzën ta dërgonin në një shkollë për fëmijë të talentuar. Pas një testimi të inteligjencës së Adharës, rezultoi se vajza kishte një koefiçent prej 160, thënë në fjalë të tjera një ‘IQ’ e niveleve të gjenive si Albert Einstein dhe Stephen Hawking.

Adhara arriti të marrë një diplomë (bachelor) në sistemet inxhinierike, ndërsa tanimë po studion në nivel master matematikë në Universitetin Teknologjik të Meksikës. Ëndrra e vajzës është që të studiojë astrofizikë dhe një ditë të mund të punojë në NASA.