Në Shqipëri i kishin shtëpitë ngjitur njëri- tjetrit, të tjera detaje në lidhje me vrasjen e të riut shqiptar në Itali

“Motivi i vrasjes brutale të Alfonso Kola, mbetet ende mister. Petrit Gega, 52 vjeçari që akuzohet për vrasjen e bashkëpatriotit të tij 33 vjeçar, është mbyllur në heshtje përgjatë seancës së gjatë hetimore të kryer nga autoritetet.”

Kështu shkruan media italiane në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në shtetin fqinj, dy ditë pas krimit të rëndë. Media vendase atje ka dhënë detaje në lidhje me autorin e dyshuar, i cili me profesion rezulton të jetë murator, familjar dhe me fëmijë.

Brescia Today shkruan se Alfons Kola (viktima) dhe Petrit Gega (autori dyshuar) njiheshin prej vitesh, e duket se mes tyre nuk kishte një relatë normale. Media italiane thekson se hetuesit nuk kanë përjashtuar mundësinë e përplasjeve apo hatërmbetjeve të hershme mes dy shqiptarëve.

Ndërkohë në Shqipëri, është mësuar se dy personat në fjalë, shtëpitë e tyre i kanë veçse pak metra larg njëri- tjetrit.

Alfonsi dhe Petriti vijnë nga i njëjti fshat, e njëjta lagje në Kallmet të Lezhës. Në prononcim për mediat shqiptare, disa prej banorëve të zonës u shprehën të tronditur mbi ngjarjen. Banorët thanë se mes familjeve nuk ka patur ndonjëherë konflikt.

“Është e rëndë shumë si s’është, por e kanë bërë vetë. Ne këtu një jemi, të tërë”-tha një banor i moshuar i fshatit Kallmet.