Ana mundohet ta lërë veten në gjumë, vetëm e vetëm që të gjejë pak qetësi nga dhimbjet e mëdha që ia kanë pushtuar trupin. Prej një jave ajo dergjet në spital, e prekur nga një sëmundje e rrallë që duket sikur ia ka rrëmbyer shëndetin.
Një javë më parë Ana ndodhej në shkollë, gjithçka ishte krejt normale… kur papritur sëmundja erdhi me vrull. Po i sulmon organet e trupit, trurin, veshkat, mëlçinë…E tani vogëlushja përballet me dhimbje të jashtëzakonshme, pasi veshkat e saj kanë filluar të reshtin së funksionuari. Ana 10 vjeçe është e lidhur në dializë.
Koha nuk është në anën e saj, ndërsa familjarët janë zhytur në dëshpërim. Ata nuk kanë mundësi financiare për përballuar kostot e larta të kurimit jashtë shtetit, por është pikërisht kura e specializuar ajo që mund ta largojë Anën nga kthetrat e vdekjes.