Në spital me frymën që po i venitet, vogëlushja 14 muajshe ka nevojë për ndihmë urgjente

12 nga 14 muajt e saj të jetës, kjo vogëlushe i ka kaluar në dyert e spitaleve. Anxhela aktualisht ndodhet e shtruar në spital. Të qarat e saj oshëtijnë në muret e dhomës që për dhjetëra e dhjetëra herë ka dëgjuar lotët e pafundshëm të vogëlushes.

Anxhela është e prekur nga një sëmundje e rëndë në mushkëri. Sëmundja sa vjen e vështirësohet, njëlloj si frymëmarrjet e vogëlushes 1 vjeçare. Të dëshpëruar, nëna e babai i Anxhelës i luten për ndihmë shqiptarëve. Anxhela ka nevojë për kurim të specializuar jashtë shtetit, por familja kurrsesi nuk mundet të përballojë udhëtimin e kostot e kurimit. Në varfëri e dhimbje për të bijën e tyre që vuan, ata u luten për ndihmë shqiptarëve zemërmirë.

Anxhela nga ana tjetër po përkeqësohet dita ditës. Kriza të forta dhe bllokime të shpeshta të frymëmarrjes janë veçse një nga shumë këmbanat e alarmit, se jeta e saj është në rrezik. E në rast të moskurimit, kjo vogëlushe mundet t’i mbyllë sytë përgjithmonë.