Në spital me tumor, lotët e 9 vjeçares: Në shkollë më binin të fikët, paratë për bukën ia jepja motrës

Po bën thuajse tre muaj që nuk ka shkuar më në shkollë. E merr malli të jetë në bankën e saj. Por sot kjo 9 vjeçare ndodhet në spital dhe në rrezik është jeta e saj. Eriziana është prekur nga tumori në zorrën e hollë. Dy ndërhyrje ka kryer, por sëmundja vijon të jetë aty, dalëngadalë duke e dobësuar dita ditës.

Mes lotëve ajo kujton kohen e shkollës, kur në pamundësi për të blerë diçka për të ngrënë, vogëlushes i binin të fikët. E sa herë ajo kishte ndonjë të hollë të vogël, ato para i harxhonte për t’i blerë diçka motrës së saj të vogël.

Gjithmonë kur shkoj në shkollë më bie të fikët dhe më sjell mësuesja në shtëpi. Mësuesja me thoshte a je mirë? Mirë i thoja unë. Më pyeste a kisha ngrënë bukë, po i thoja unë. Por unë nuk kisha ngrënë. Nuk kishim lekë të blinin. Gjithmonë kur kisha ndonjë para ia bleja motrës, nuk haja për vete.“-thotë 9 vjeçarja.