Në terr të varfërisë, i shoqi i vdekur, ajo me dy jetimë… lutja nënës: Gjumin ma mbyt frika, a do të gdhihemi gjallë nesër

Nëna e dy fëmijëve jetimë në fshatin Golem të Lushnjes, tregon se pasi i vdiq i shoqi edhe ajo rrezikoi të humbë jetën e të lërë në mëshirë të fatit dy fëmijët. E sëmurë në veshka, Dafina pësoi një hemorragji dhe u dërgua me urgjencë në spital. Mes lotëve ajo i kujton momentet, kur i lutej Zotit për mëshirë. Jo për jetën e saj, por për mundësinë për të mos lënë fëmijët edhe pa nënë.

“Im shoq iku dhe më la një plagë shumë të madhe që nuk ka për t’u mbyllur kurrë. Mirë fëmijët pa baba, po edhe me këto kushte, si do t’ja dal t’i rris, nuk e di. Ne jemi pa shtëpi, pa të ardhura, vetë jam e sëmurë me veshkat. Më plasi hemorragjia në veshka dhe më morën e më dërguan në Athinë dy javë. E vetmja gjë që lutesha, thoja o Zot vetëm të jetoj për fëmijët e mi, mos t’i lë rrugëve.”-tregon Dafina.

E veç sprovave të njëpasnjëshme, kjo nënë jeton në kushte me të vërtetë të tmerrshme. Shtëpia ku ajo qëndron me dy fëmijët 7 e 3 vjeç, është thuajse e rrënuar. Dafin qan dhe zëri i dridhet, kur pohon se kurrë nuk e bën gjumin qetë, pasi ka frikë se do të vijë dita kur shtëpia do të shembet, e poshtë rrënojave do të mbeten fëmijët e saj.

“Unë dua t’i shoh mirë e të lumtur fëmijët, por nuk kam. Shikoj çdo natë mos u bie ndonjë copë (nga tavani) në kokë, a po marrin frymë…  Lutja ime është që, o Zot, të më ndihmojnë, të kem një shtëpi për fëmijët e mi, që të mos ta bëj gjumin me frikë, nëse do të gdhijmë apo jo gjallë.”-thotë nëna e dy jetimëve.