Nëna e 5 fëmijëve hedh foshnjen e porsalindur në lumin Tapizë, detajet e ngjarjes së rëndë

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Krujë, atje ku një 42 vjeçare dyshohet se ka vrarë foshnjen e saj të porsalindur, duke e hedhur në lumin e Tapizës. Gruaja e identifikuar me inicialet L. K akuzohet se e ka lindur fëmijën në tualetin e banesës, e ka futur në një qese plehrash dhe e ka hedhur në lumë foshnjen.

Ngjarja u zbulua veçse pasi 42 vjeçarja shkoi në spital për ndihmë mjekësore, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore.

Gruaja ka thënë para hetuesve se foshnja lindi e pajetë, një pretendim që mbetet i dyshimtë për autoritetet.

Vetë bashkëshorti i gruas, ka thënë se ai nuk ishte fare në dijeni se e shoqja ishte shtatzënë. Gruaja është nënë e 5 fëmijëve, 3 vajzave dhe dy djemve, ku më e madhja është në të 20-tat.

Autoritetet po hetojnë dhe për mundësinë e përfshirjes në krim, të vajzës së madhe të familjes, e cila dyshohet se ka ndihmuar nënën.

Foshnja ndërkohë është gjetur e pajetë nga autoritetet në breg të lumit Tapizë. Trupi i pajetë i foshnjes (vajzë) është dërguar në morgun e kryeqytetit.

Ende mbetet e paqartë se cili ka qenë motivi i këtij krimi të rëndë, veçanërisht i ardhur nga një nënë me 5 fëmijë.