Nëna me vajzat binjake nxirren para se mjeti të përpihet nga flakët, policia nis hetimet për shoferin 36 vjeçar

Ditën e dielë një aksident që mund të kishte përfunduar me vdekjen tragjike të 4 personave, u parandalua nga disa banorë të zonës në rrugën Belsh- Kuçovë. Makina me të cilën udhëtonte familja Metaj doli nga rruga dhe u përmbys në një arë aty pranë. Pas aksidentit, nisën flakët.

Në makinë ndodheshin burrë e grua së bashku me dy vajzat e tyre binjake të moshës 8 vjeçare. Qenë banorët e zonës që mundën të nxjerrin në kohë nënën me dy vajzat, para se flakët të përpinin të gjithë automjetin.

Këtë të hënë policia ka vënë nën hetim 36 vjeçarin i cili drejtonte makinën, për të hedhur dritë mbi shkakun e aksidentit që la të plagosur fëmijët e mitur dhe të shoqen.

Ndërkohë nëna dhe një prej vajzave ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e plagëve të marra në kokë e trup nga aksidenti.