Nënë e bijë të vdekura në banesë prej 5 ditësh… detajet e tragjedisë së familjes nga Korça

Një ngjarje e rëndë është zbuluar të enjten, në banesën e një të moshuare e cila prej kohësh qëndronte e mbyllur për shkak të paralizës. E moshuara e quajtur Eleni 75 vjeçe është gjetur e pajetë, e së bashku me të e vdekur edhe e bija Ornela 54 vjeçe, e cila kujdesej për nënën e saj.

Gjithçka u zbulua përmes djalit të të moshuarës, njëkohësisht vëllait të Ornelës. Ai jetonte në Greqi dhe prej ditësh merrte në telefon, por askush nuk i përgjigjej. I shqetësuar ai është nisur nga Greqia drejt Shqipërisë dhe kur ka ardhur në banesë, askush nuk i ka hapur derën. Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve të cilët kanë hapur derën e banesës ku jetonte e moshuara. Aty autoritetet janë përballur me dy trupat e pajetë.

Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se Ornela mund të ketë ndërruar jetë si pasojë e një infarkti në zemër, ndërsa më tutje e moshuara e paralizuar,, në pamundësi për të lëvizur e për të marrë ilaçet. Mendohet se nënë e bijë kanë qëndruar për afro 5 ditë të vdekura në banesë.

“Rreth orës 16:42, në lagjen nr. 17, Korçë, në banesë, janë gjetur pa jetë, pa shenja dhune Eleni Vangjeli, 75-vjeçe dhe vajza e saj Ornela Vangjeli, 54-vjeçe. Nga të dhënat e para, rezulton se këto shtetase nuk ju ishin përgjigjur në telefon familjarëve të tyre, prej disa ditësh. Dera e banesës së tyre është hapur nga shërbimet e zjarrfikësve, pasi ishte e kyçur nga brenda.Paraprakisht dyshohet se këto dy shtetase mund të kenë humbur jetë për shkaqe natyrale. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të humbjes së jetës së këtyre shtetaseve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha policia e Korçës.

Ornela ishte e vetmja e cila kujdesej për nënën e saj. Banesa ishte plotësisht e mbyllur, përfshi dhe derën e hyrjes. Ornela rezulton të ishte mësuese në një fshat të Korçës. Vëllai i saj i tregoi autoriteteve se më të motrën ka folur të shtunën e kaluar, ditë në të cilën Ornela ka dërguar në spital të ëmën për shkak të nivelit të ulët të oksigjenit në gjak. Atje i kanë thënë që e moshuara nevojitet të shtrohet, por vajza nuk ka pranuar ta lërë nënën e saj në spital. Të dyja, janë kthyer në banesë dhe prej aty më pas, nuk dihet saktësisht dinamika e asaj që ka ndodhur.