Historia e një të riu të quajtur Kalya Gamage, i cili arriti të shpëtojë nga mbytja në det të vëllanë, një akt heroik i cili u vlerësua me një medalje të njohur në të gjithë Commonwealth-in.
Kayla, i vëllai Kithme dhe nëna e tyre nuk kishin shumë kohë që kishin ardhur të jetonin në Zelandën e Re. Kishin vendosur të shkonin në plazhin e ‘Kristaleve’, pa e ditur se në det kishte rryma të rrezikshme e dallgë që mund të rrezikonin jetën e kujtdo. Kithme kishte hyrë në det dhe papritur një dallgë e përfshin. Kalya pa të vëllanë të zhytej në ujë e në vështirësi për të dalë. Pa e menduar dy herë, 13 vjeçari hidhet në det. Pak sekonda para se të nisej, ai kujton t’i ketë thënë nënës
“Nënë, po iki të shpëtoj vëllain… mund të mos kthehem dot”
13 vjeçari vrapon dhe zhytet në ujë. Noton afro 60 metra mes dallgëve dhe mbërrin tek i vëllai, 11 vjeçar.
“Hoqa këpucët dhe bluzën dhe u nisa. Kur mbërrita tek vëllai, ai tentoi të më kapte… e shyva nga vetja dhe i thashë të mbahej tek shpatullat e mia. Pas pak mbërritëm në breg”-tregoi 13 vjeçari.
Akti heroik i këtij vogëlushi, tërhoqi vëmendjen e medias atje, përfshi dhe një shoqate bamirëse të quajtur “Royal Life Saving Society”, me seli në Britaninë e Madhe. Shoqata në fjalë e dekoroi me medalje 13 vjeçarin për aktin e tij heroik, një medalje e cila njihet në të gjithë vendet e ‘Commonwealth’-it.
“Nëna është shumë krenare për mua… u lumturua aq shumë, sepse mendoi se vëllai s’do dilte gjallë nga uji… kur erdhëm të dy në breg, ajo ishte shumë shumë e lumtur”-tha djaloshi 13 vjeçar.