“Nëse më del nga zemra, nuk hyn më” 41 vjeçari shqiptar e goditi 7 herë me thikë 26 vjeçaren shtatzënë në Itali

Bujar Fandaj, një 41 vjeçar shqiptar me origjinë nga Kosova është personi i cili akuzohet për vrasjen makabre të një 26 vjeçareje italiane e quajtur Vanessa Ballan, e cila ishte 3 muajshe shtatzënë.

Krimi i rëndë ndodhi të martën në Treviso. Vanesa kishte marrë leje nga puna dhe ndodhej në shtëpi, kur përballë saj ka dalë Fandaj. Të dy njiheshin, dikur kishin qenë të lidhur, por raporti i tyre nuk zgjati shumë. Ndarja kishte qenë e ashpër aqsa 26 vjeçarja e kishte denoncuar 41 vjeçarin për përndjekje.

Fandaj punonte si korrier dhe kishte mbërritur me furgonin e punës në shtëpinë e 26 vjeçares.Me një çekiç kishte thyer një derë xhami. 26 vjeçaren e gjeti ende me pizhame dhe përmes një thike e goditi 7 herë në gjoks, duke e lënë të vdekur.

Trupin e të resë e gjeti i fejuari i saj, kur erdhi në shtëpi pas punës.

Hetuesit e arrestuan disa orë më vonë, pas kontrollit të kamerave të sigurisë në ambientet pranë vendit ku ndodhi krimi.

Siç shkruajnë mediat italiane, Fandaj kishte postuar më herët një foto në rrjetin social, ku tregonte se ndodhej pranë kufirit mes Italisë e Sllovenisë. Në imazh shfaqej një tabelë autostrade që tregonte drejtimin për nga Lubjana në Nova Gorica. Hetuesit besojnë se i dyshuari ka përdorur një foto të vjetër, për të krijuar alibi. Media vendase shkruan se  nuk ka qenë vetëm kjo foto ajo që ngjallur interes për hetuesit. Disa orë para krimit, mbrëmjen e të hënës, 41 vjeçari kishte publikuar në rrjetin social një ‘story’ me audio në sfond ku thuhej:

“Kështu jam gatuar, të jap menjëherë zemrën, transparencë e sinqeritet. Por mos mendo se mund të ma fusësh, sepse nëse më del nga zemra nuk hyn më”.