Nesër kuqezinjtë përballen me Çekinë, këto janë rrugët që do të bllokohen në Tiranë

Nesër në mbrëmje na pret një ndeshje e rëndësishme me Çekinë, teksa kombëtarja e Shqipërisë do të tentojë fitoren për të qenë edhe një hap më pranë Kampionatit Europian 2024.

Për mbarëvajtjen e ndeshjes, policia e kryeqytetit ka publikuar së fundmi planin e masave të marra si dhe akset rrugore që pritet të jenë të bllokuara për qarkullimin normal të automjeteve.

“Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e
Tiranës, gjatë datës 12 tetor 2023, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e
Shtetit, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të
mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
-rruga “Papa Gjon Pali II”;
-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;
-rruga “Themistokli Gërmenji”;
-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;
-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Me këtë rast, informojmë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, se në bazë të Kodit Penal të Republikës
së Shqipërisë, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si hyrja në fushën e lojës gjatë kohës
së zhvillimit të aktivitetit sportiv nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe
dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër, ka ardhur pengimi i
zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i
lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv,
dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Legjislacioni penal shqiptar e konsideron vepër penale goditjen apo çdo vepër tjetër dhune ndaj
sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, vepër penale që dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo nga drejtues apo
anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Portat e hyrjes në stadium, ditën e ndeshjes, do të hapen në orën 17:00. Apelojmë për tifozët që do të ndjekin ndeshjen në stadium, që të paraqiten në kohë dhe të zbatojnë rregullat e përmendura më lart, në mënyrë të të mos krijohen radhë ose vonesa dhe ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.”-njofton policia.