Qeveria e Serbisë ka vendosur të hënën që të lejojë veturat me targa të Kosovës (RKS) të qarkullojnë brenda territorit të saj. Vendimi u shpalos nga Petar Petkoviç, drejtori për Kosovën në qeverinë e Serbisë.
Petkoviç ka thënë se me këtë vendim Serbia kurrsesi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se targat nuk janë simbol i shtetësisë, sipas tij. Ai ka përmendur edhe pajisjen me targat RKS të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse. Më tutje Petkoviç ka theksuar se një njoftim mbi mosnjohjen e Kosovës, do të vendoset në të gjitha pikat kufitare dhe administrative.
“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpallje e njëanshme e pavarësisë së Kosovës”,
Sipas tij, ky vendim “nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në tekstin e mohimit.
Kujtojmë se për çështjen e targave dhe debatit për ‘reciprocitetin’ ka patur një seri me tensione e përplasje të ashpra në veri të Kosovës.