Babai i Jasminës, vajzës nga Kosova e prekur nga leuçemia, i është drejtuar shqiptarëve bamirës, me një mesazh që del nga thellësia e zemrës së tij. Paratë e nevojshme për Jasminën u mblodhën mbrëmjen e djeshme, duke i hequr kësioj një gur të rëndë që i peshonte në shpirt këtij babai.
Zëri i tij ende dridhet, ama kësaj here ky burrë është i mbushur me shpresë. Përmend Krijuesin dhe tashmë beson me gjithë shpirt se gjithçka do të shkojë mirë për të bijën 20 vjeçe.
“Mirmbrëma të gjithë shqiptarëve anembanë botës. Ju faleminderit të gjithëve, shqiptarëve kudo që janë, që kanë kontribuar në grumbullimin e mjeteve financiare për vajzën time. Lajm më të mirë nuk kam përjetuar në jetën time… ama lajmin më të mirë, do t’ju gëzojë së shpejti kur Jasmina të kthehet nga Stambolli shëndoshë e mirë.
Edhe njëherë, unë ju falenderoj nga zemra. Sadakaja juaj le të shkojë në qiellin e shtatë e lus të madhin Zot, që Allahu t’ju shpërblejë me të gjitha të mirat. Hoxhë i nderuar Elvis Naçi, Allahu të bekoftë me të tëra të mirat.
Ma keni mbushur zemrën, faleminderit vëllazënve, faleminderit fondacionit “Firdeus”.”-tha babai i Jasminës