Nga Politekniku i Tiranës tek “Tesla” e Elon Musk, historia e inxhinierit shqiptar

Karrierën e nisi si web-developer në Shqipëri pas përfundimit të inxhinierisë elektronike në Politeknikun e Tiranës. Por për Oltion Priftin, ëndrra ishte pjesa inxhinierike e zhvillimit dhe programimit.

Oltioni nisi të aplikojë për punë në shtetet skandinave, derisa arriti të gjejë një vend në Suedi. Atje ai punoi nga viti 2015 deri në 2019, kohë në të cilën pati mundësi bashkëpunimi dhe në Shtetet e Bashkuara, ku mësoi se më shumë se gjysma e punonjësve të kompanisë atje, ishin ish-punonjës të ‘Teslas’.

“Jam diplomuar në inxhinieri elektronike. Kam dëgjuar për herë të parë për Tesla-n në vitin 2012 kur mbarova Bachelor-in në Universitetin Politeknik në Tiranë. Është një histori e gjatë që nisi kur lëviza për në Suedi. Në Shqipëri unë kam punuar më tepër si ëeb-developer, por preferoja më shumë pjesën inxhinierike. Në vitin 2014 kam aplikuar në shumë kompani, sidomos në Skandinavi dhe në vitin 2015 mora një ofertë pune për në Suedi dhe aty ishte puna e parë ku u fokusova në pjesën inxhinierike të programimit dhe zhvillimit. Në 2019 kisha një projekt me kompaninë suedeze në Kaliforni dhe më bëri përshtypje që mbi 50% që punonin tek ky klienti ishin ish-punonjës të Tesla-s. Aty rashë në kontakt me persona dhe nisa të interesohesha. Në 2021 nisa të bëja disa aplikime te Tesla në Kaliforni, ndërkohë ata më kontaktuan pas 5 muajsh nga Berlini duke qenë se Amerika nuk lejonte futjen e shtetasve të huaj për shkak të COVID-it. Aty filloi. Aktualisht merrem me zhvillim e të gjithë pjesës së prodhimit të celulave të baterisë, që janë komplet teknologjia më e fundit që Tesla është duke prodhuar për gjeneratën e fundit të makinave elektrike.”-rrëfeu Oltioni në një intervistë për A2cnn.

I pyetur nëse ka arritur ta takojë Elon Musk, Oltioni tha:

“Për të folur jo. Njëherë në çdo tre muaj është aty. Ai person është si një makinë që nuk pushon së punuari. Ai mund të marri vetëm një ditë pushim në vit dhe e ke në çdo kompani që menaxhon”.-tregoi inxhinieri.